Dekoroi Akil Panon, organizata LGBT kundër Metës: Diskriminim i tërthortë, nuk është President i të gjithë shqiptarëve

Presidenti Ilir Meta i ka dhënë titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, pastorit Akil Pano, me motivacionin se ky i fundit “ka mbrojtur familjen, lirinë e fjalës dhe të besimit”.

Lidhur me këtë ngjarje kanë reaguar disa organizata për mbrojtjen e komunitetit LGBTI, duke e konsideruar veprimin e Metës, “diskriminim të tërthortë”, për faktin se pastori Akil Pano ka përdorur gjuhë urrejtje ndaj këtij komuniteti, siç ka konstatuar edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

“Ne, organizatat nënshkruese të kësaj deklerate, e konsiderojmë aktin e Presidentit Ilir Meta fyes e denigrues për komunitetin LGBTI, pasi duke njohur “kontributin” e Akil Panos në mbrojtje të familjes e lirisë së shprehjes, e cila në fakt është faktuar nga një institucion publik si gjuhë urrejtjeje, Presidenti ka diskriminuar në mënyrë të tërthortë të gjithë anëtarët e komunitetit LGBTI, ka mohuar familjet dhe fëmijët e lindur nga prindër LGBTI. Presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e një kombi, por sot Presidenti shqiptar ka treguar se nuk është President i të gjithë shqiptareve.

Theksojmë edhe një herë në përfundim, se dhënia e këtij cmimi mohon realitetin ku jetojnë shumë prej shqiptarëve dhe jo vetëm ata të komunitetit LGBTI. Dekorimi në emër të popullit i një subjekti që ka përdorur gjuhë urrejtjeje pikërisht në javën që i paraprin Paradës kundër homofobisë duket i qëllimtë. Në vend që çdo vit e më shume institucionet e ketij vendi të pranojnë e theksojnë haptazi ekzistencën dhe rëndësinë e diversitetit, ato zgjedhin të sfidojnë drejtpërdrejtë e tërthorazi perpjekjet dhe sfidat legjitime për njohje ligjore dhe barazi të një grupi shqiptarësh”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Reagimi i plotë:

Presidenti Meta kryen diskriminim të tërthortë kurndrejt komunitetit LGBTI në Shqipëri

Në datën 12 Maj 2022, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta, i akordoi titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” Pastorit Akil Pano, me mirënjohje ndaj përkushtimit të tij në mbrojtje të institucionit të familjes, lirisë së fjalës dhe besimit, gjatë tri dekadave të fundit. Ky titull u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për akte të veçanta heroike në mbrojtjen, forcimin dhe përparimin e Republikës së Shqipërisë, në bazë të Kushtetutës Shqiptare dhe Ligjit Nr. 112/2013 “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendor në Republikën e Shqipërisë”.

Pastori Akil Pano ka diskriminuar publikisht përmes gjuhës së urrejtjes, në mënyrë të përsëritur komunitetin LGBTI, ku shprehet se:- “të jesh gej është devijancë, është të dalësh nga rruga…nuk ka akt më të shëmtuar dhe nuk ka akt më skandaloz, nuk ka çnderim më të madh, dashuria e këtyre njerëzve për veten bën të shkelin nënën dhe babain, njohja ligjore e personave LGBTI do t`i hapi rrugën martesave gej dhe adoptimit të fëmijëve dhe këtu kemi të bëjmë me akte kriminale, me legalizimin e martesave hiqet steka morale”, etj.

Pikërisht për të dënuar këto deklerata dhe qëndrime publike, mes vendimit Nr. 217, datë 15.11.2021, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vendosi se Pastori Akil Pano kishte diskriminuar në mënyrë të hapur dhe kishte përdorur gjuhë urrejtjeje, në shkelje të parashikimeve të ligjit 10221/2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”.

Presidenca si institucioni më i lartë i shtetit dhe Presidenti si figura kryesore që përfaqëson unitetin e vendit, duhet të jetë garantuesi kryesor i zbatimit të Kushtetutës Shqiptare, e cila në preambulën e saj thekson vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor. Më konkretisht, neni 53 i Kushtetutës thekson se kushdo ka të drejtë të ketë familje, ndërsa neni 17 thekson nivelin e kufizimeve të të drejtave të njeriut në Shqipëri, të cilat nuk mund të tejkalojnë ato të vendosura nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo Konventë, pjesë e sistemit juridik të brendshëm të vendit, në nenin 8 të saj njeh në mënyrë të padiskutueshme jetën familjare mes personave të të njëjtit seks, prindërve të vetëm dhe fëmijëve të tyre, kujdestarëve ligjore dhe fëmijëve të mitur nën kujdestari. Në bazë të nenit 18 të Kushtetutës Shqiptare parashikohet se askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht në Republikën e Shqipërisë.

Nëpërmjet dekorimit të Pastor Akil Pano, si mbrojtës i familjes dhe lirisë së fjalës, Presidenti Ilir Meta ka shkelur zotimin e tij për zbatimin korrekt të Kushtetutës Shqiptare dhe Konventës Europiane për të drejtat e Njeriut, kufizimet e së cilës janë pjesë e pandashme e Kushtetutës sonë. Presidenti Meta ka keqpërdorur kompetencat e tij në bazë të Ligjit Nr. 112/2013 “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendor në Republikën e Shqipërisë” dhe ka shkelur Ligjin nr. 10221/2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”.

Ne, organizatat nënshkruese të kësaj deklerate, e konsiderojmë aktin e Presidentit Ilir Meta fyes e denigrues për komunitetin LGBTI, pasi duke njohur “kontributin” e Akil Panos në mbrojtje të familjes e lirisë së shprehjes, e cila në fakt është faktuar nga një institucion publik si gjuhë urrejtjeje, Presidenti ka diskriminuar në mënyrë të tërthortë të gjithë anëtarët e komunitetit LGBTI, ka mohuar familjet dhe fëmijët e lindur nga prindër LGBTI. Presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e një kombi, por sot Presidenti shqiptar ka treguar se nuk është President i të gjithë shqiptareve.

Theksojmë edhe një herë në përfundim, se dhënia e këtij cmimi mohon realitetin ku jetojnë shumë prej shqiptarëve dhe jo vetëm ata të komunitetit LGBTI. Dekorimi në emër të popullit i një subjekti që ka përdorur gjuhë urrejtjeje pikërisht në javën që i paraprin Paradës kundër homofobisë duket i qëllimtë. Në vend që çdo vit e më shume institucionet e ketij vendi të pranojnë e theksojnë haptazi ekzistencën dhe rëndësinë e diversitetit, ato zgjedhin të sfidojnë drejtpërdrejtë e tërthorazi perpjekjet dhe sfidat legjitime për njohje ligjore dhe barazi të një grupi shqiptarësh.

Edhe pse të zhgënjyer, ne kemi arsye për optimizëm, por edhe shpresë naive se një dite do shihemi si qytetarë të denjë të këtij vendi. Do ia arrijmë me qetësi dhe dashuri!

Aleanca LGBT

Pro LGBT

OMSA

Streha LGBT

Të Fundit