Prokuroria e Posaçme ka vënë në sitë në sitë 10 agjentë të Policisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetinit që kanë qenë në terren për ekzekutimin e masave të sigurisë ndaj klanit kriminal ‘Çopja’.
Sipas burimeve për media bëhet me dije se ndër ta janë marrë në pyetje edhe 3 drejtues Policie që kanë patur dijeni për operacionin.
Lidhur me bindjen që ka organi i procedurës penale, është duke kryer verifikime në një sërë aparatesh celulare të personave të mësipërm, komunikime apo takime të mundshme kompromentuese.
Nga 33 urdhër arreste të miratuara nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, u ekzekutuan vetëm 13 prej tyre, dy prej të cilëve të arrestuar më herët për vepra të tjera penale. Për disa prej këtyre shtetasve që sot janë në arrati, kishte të dhëna që ndodhen në Shqipëri, por me dyshimet se janë informuar, nuk është arritur të kapen.
Një hetim i nisur prej vitit 2022 ndaj vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja nga Elbasani, iniciuar dhe nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Erion Alibej e Nuredin Dumani, ka çuar SPAK në zbardhjen e disa vrasjeve, atentateve e grabitje.
Franc e Hajdar Çopja dyshohet të jenë krerët e grupit kriminal që fshihet pas vrasjeve si pasojë e përplasjeve mes grupeve, me qëllim sundimin e trafikut të kokainës në Europë. E konkretisht bëhet fjalë për përplasjen mes grupit Çopja dhe Alibej.