Ish-presidenti Trump tha në një intervistë se mendon që Zoti beson se ai do të “rregullojë” vendin pasi i mbijetoi një atentati në korrik.
Prezantuesi i Fox News Mark Levin e pyeti ish-presidentin nëse ai beson më shumë në Zot pas tentativës për vrasjen e tij gjatë një mitingu në Pensilvani më 13 korrik.
“Mendoj se ju mendoni si, nëse beson në Zot, ju besoni në Zot më shumë. Dhe dikush tha, pse? Dhe unë do të doja të besoja se Zoti mendon se unë do të rregulloj vendin tonë. Vendi ynë është kaq i shkatërruar dhe ndoshta kjo ishte arsyeja, nuk e di. Nuk e di, shumë njerëz e kanë thënë këtë”, tha ai.
Ish-presidenti ka thënë dhe më parë se ishte për shkak të Zotit që ai i mbijetoi incidentit. Ai gjithashtu lavdëroi agjentët e Shërbimit Sekret që lëvizën për ta mbrojtur atë ditë, duke thënë se ata ishin “shumë të guximshëm” dhe u hodhën mbi të brenda “sekondave“. Ai tha se snajperisti që kapi personin e armatosur ishte “i mahnitshëm”, por ai pranoi se dikush duhet të kishte qenë në çatinë ku ishte sulmuesi.
Shërbimi Sekret është përballur me një shqyrtim të hollësishëm në muajt që pas atentatit, teksa vërtiten pyetjet se si sulmuesi ishte në gjendje të qëllonte ndaj ish-presidentit.
Kimberly Cheatle dha dorëheqjen nga posti i saj si drejtore e Shërbimit Sekret pasi shumë njerëz i kërkuan asaj të largohej.