Papa Françesku deklaroi sot se vaksinimi kundër Covid-19 përbën një akt dashurie, ndërkohë që u bëri thirrje njerëzve që të vaksinoheshin.
“Falë Zotit dhe punës së shumë njerëzve, sot ne kemi vaksina për të na mbrojtur nga Covid-19”, tha Papa në një video mesazh në spanjisht.
“Ato na japin shpresë për të dalë nga kjo pandemi, por vetëm nëse ato janë të disponueshme për të gjithë dhe nëse punojmë së bashku.
Të vaksinohesh me vaksina të miratuara nga autoritetet përkatëse përbën një akt dashurie”, tha 84-vjeçari.
“Vaksinimi është një mënyrë e thjeshtë, por me ndikim për të promovuar të mirën e përbashkët dhe për t’u kujdesur për njëri -tjetrin, veçanërisht për më të prekurit”, vazhdoi Papa.
Video u publikua si pjesë e fushatës ndërkombëtare “De ti depende” (“Varet nga ty”), në spanjisht, për të promovuar vaksinimet kundër Covid -19.
Disa figura katolike të rangut të lartë nga e gjithë Amerika janë gjithashtu pjesë e fushatës.