Kryeministri Edi Rama ka vijuar turin në jug të vendit teksa mëngjesin e sotëm është ndalur në një takim virtual me qytetarë të Sarandës të cilët kanë ndarë me të shqetësime të ndryshme.
Kreu i qeverisë iu përgjigj pyetjes së një qytetari lidhur me çështjen e detit me Greqinë dhe mundësinë që shtetit grek të shtrihej me 12 milje në detin Jon.
Teksa e cilësoi këtë një absurditet të sajuar nga pseudopatriotë në rrjetet sociale, z. Rama u shpreh se vendimet e miratuara së fundmi në parlamentin grek nuk kanë të bëjnë aspak me Shqipërinë, me të cilën siç tha Greqia nuk ka ende një marrëveshje për detin ndaj i është drejtuar Hagës, por ka të bëjë me marrëveshjen që Greqia ka arritur me Italinë në këtë drejtim.
“Në vendimet e Greqisë që këtu janë keqinterpretuar janë vendime të cilat nuk kanë lidhje me çështjet e detit me ne, sepse këtu nuk janë miljet e nevojshme për t’u shtrirë 12 milje.
Që Greqia të shtrihet 12 milje duhet të vendosë kufirin në Memaliaj dhe të gjithë ekonominë e detit duhet të spostojë në Virua. Nuk ka mundësi që as Shqipëria të shtrihet 12 milje në Greqi, as Greqia të shtrihet 12 milje në Shqipëri
Është një absurditet i gjithi. 12 miljet janë një e drejtë e gjithsecilit shtet, deti Jon nuk fillon në Butrint, një pjesë e madhe është matanë dhe andej ka Greqia hapësirë për t’u shtrirë 12 milje në raport me Italinë me të cilën janë marrë vesh.
Aty ku konventa e thotë qartë se kjo e drejtë ushtrohet aty ku është mundësia fizike, asnjë shtet s’e bën dot arbitrarisht nëse s’është mundësia fizike. Dhe aty ku nuk ushtrohet dot se s’ka vend duhet bërë marrëveshje. Dhe ne do të shkojmë në gjyq se nuk kemi marrëveshje, sepse nuk ka hapësirë për të ushtruar të drejtën pa u marrë vesh”, tha kreu i qeverisë.
Ai e cilësoi absurde idenë që deti mund të shitet dhe shitja mund të bëhet fshehurazi, ndërsa akuzoi për propagandën e gënjeshtërt, firmëtarët e marrëveshjes së vjetër të detit me Greqinë që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2010.
“Ideja që deti mund të shitet dhe shitja mund të bëhet fshehurazi është një ide komplet absurde.
Marrëveshja e vjetër ishte problem, ishte në dëm të interesave të Shqipërisë, e bën ata që sot i fryjnë zjarrit. Ajo marrëveshje është zhbërë, jam krenar që arritëm të vinim rrugën e komunikimit me Greqinë. Ajo që Greqia ka bërë nuk e impakton fare Shqipërinë.
As nuk kanë dhënë shenjë që duan ta marrin, po as nuk e marrin dot nëse e duan, se s’ka 12 milje këtu. Ku jemi këtu në doganë, në kohën e tymit që kalonte kamioni nën tra”, u shpreh kryeministri.