Një burrë në Tajlandë braktisi aksidentalisht gruan e tij në anë të rrugës dhe vazhdoi të voziste për rreth 160 km duke besuar se ajo ishte duke fjetur në pjesën e pasme të makinës. Boontom Chaimoon, 55 vjeç dhe Amnuay Chaimoon, 49 vjeç, u nisën për në qytetin e saj të lindjes në provincën Maha Sarakham. Por shoferit iu desh të ndalonte në anë të rrugës kamionçinën e tij Isuzu për të urinuar.
Çifti udhëtonte gjatë natës. Pasi doli nga makina, gruaja e tij Amnuay vendosi të zbriste gjithashtu për të kryer nevojat personale dhe u fut në xhungël. Por kur ajo u kthye në rrugë, makina nuk dukej askund dhe mbeti e vetme në errësirë.
Gruaja e pakënaqur nuk kishte para apo telefon, kështu që vendosi të ecte me shpresën për të gjetur ndihmë. Përfundimisht, pasi eci në rrugë për 20 km në qendër të Kabin Buri, ajo gjeti një stacion policie rreth orës 5 të mëngjesit. Ajo iu lut policisë që ta ndihmonte për të gjetur burrin e saj. Vetëm se kishte një problem të vogël, ajo nuk mbante mend numrin e telefonit celular, shkruan Daily Mail.
Pasi më në fund policia gjeti një kontakt, burri nuk e hapi telefonin as pas 20 thirrjeve, ndërsa ecte përpara i lumtur pa e ditur për panikut që kishte shkaktuar.
Në kohën kur shoferi e kuptoi gabimin e tij, ai ishte 160 km larg gruas së tij dhe iu desh të kthehej për ta marrë atë. Ai tha se kishte besuar se ajo ishte duke fjetur në sediljen e pasme gjatë gjithë kohës, por i dëshpëruar u kthye për ta marrë. Çifti janë të martuar prej 27 vitesh dhe kanë një djalë 26-vjeçar.