Burimi i Sinecit/ Banorët e Lumasit fitojnë betejën ligjore kundër bashkisë Kuçovë.

Banorët e Lumasit fitojnë një tjetër betejë ligjore kundër bashkisë Kuçovë në Gjykatën Administrative. Akt-ekspertimi teknik konfirmon akuzat e banorëve dhe hedh poshtë pretendimet e bashkisë.

Banorët e fshatit Lumas kanë fituar një tjetër betejë ligjore kundër bashkisë Kuçovë dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.Në seancën e radhës,të zhvilluar në Gjykatën Administrative të Shkallës së parë në Vlorë,ku bashkia Kuçovë është paditur për dhënie të paligjshme të lejes së ndërtimit për ujësjellësin,palët janë njohur me akt-ekspertimin teknik të inxhinierëve,që ka qënë totalisht në favor të banorëve të Lumasit.Të kontraktuara nga Gjykata Administrative Vlorë,dy inxhinieret: Silva Meçaj dhe Liljana Vllamasi,pasi kanë kryer inspektimet në zonë 3 javë më parë,kanë dorëzuar pranë kësaj gjykate akt-ekspertimin teknik,që konfirmon akuzat për muaj me radhë të banorëve të fshatit Lumas.Akt-ekspertimi teknik hedh poshtë të gjitha pretendimet e bashkisë Kuçovë në lidhje me nevojat për ujë të pijshëm të fshatrave të Lumasit,pasi konfirmon edhe një herë atë që është thënë me forcë nga banorët e Lumasit,se fshatrat furnizohen me ujë nga 4 ujësjellësa.Po kështu,ky akt-ekspertim konfirmon edhe një herë se të gjitha ndërtimet e kryera por edhe ato të parashikuara në projekt prekin Zonën Buferike dhe atë të mbrojtur të Kanionit tê Sinecit.
Sipas akt-ekspertimit teknik,të katërta objektet që po ndërtohen nga firma Salillari janë brenda Poligonit Monument Kulture (Kanioni i Sinecit) dhe brenda Zonës Buferike të Kanionit të Sinecit.Në akt-ekspertimin teknik përcaktohet se,edhe bazamenti ku do të shtrihet tubacioni i ujësjellësit në ndërtim ka prekur Zonën Buferike dhe Kanionin e Sinecit (zonë e mbrojtur). Edhe pretendimet e bashkisë Kuçovë se fshatrat e Lumasit kanë mungesë uji të pijshëm,kanë marrë përgjigje në këtë akt-ekpertim teknik. Pas inspektimit të kryer në çdo fshat për identifikimin e burimeve të furnizimit me ujë,inxhinieret Meçaj e Vllamasi,kanë dalë me konkluzionin se fshatrat: Lumas,Pëllumbas,Bardhaj,Shegjëz e Vodëz kanë rrjete dhe burime publike (puse nëntokësore) të furnizimit me ujë dhe vetëm dy fshtrat Krekëz e Koritës,me 14 familje në total nuk kanë furnizim publik me ujë të pijshëm. Akt-Ekspertimi Teknik konkludon se,fshati Lumas garanton furnizimin me ujë për fshatrat Lumas Qendër dhe Lumas 1 nëpërmjet rrjetit publik (dy puseve buzë lumit) dhe nëpërmjet ujësjellësit që mer ujë nga burimi i Sinecit; fshati Pëllumbas furnizohet nga rrjeti publik,me burim furnizimi një pus të çpuar pranë lumit që përshkon fshatin dhe uji pompohet në rezervuarin që ndodhet në Pëllumbasin e sipërm; fshati Bardhaj furnizohet nga rrjeti publik dhe burimi i furnizimit është një pus i çpuar pranë lumit dhe uji pompohet për në rezervuarin që ndodhet në pjesën e sipërme të fshatit dhe fshati Vodëz furnizohet nga një pus-çpim pranë lumit që përshkon fshatin dhe uji pompohet në rezervuarin që ndodhet në pjesën e sipërme të fshatit Vodëz.
Pas dorëzimit të këtij akt-ekspertimi,pritet vendimi nga Gjykata Administrative Vlorë në 1 Tetor.Në çështjen civile me nr.akti 1201,të depozituar në 6 Korrik 2021,banorët e Lumasit kanë paditur bashkinë e Kuçovës për “dhënie të paligjshme të lejes së ndërtimit në zonën e mbrojtur të Sinecit”,ndërkohë që e paditur si palë e tretë është edhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Të Fundit