Blinken: SHBA qëndron krah për krah me Shqipërinë, një aleate prej kohësh

Pas takimit që zhvilloi me delegacionin shqiptar që kryesohej nga kryediplomatja Olta Xhaçka, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka reaguar përmes një postimi në Twitter.

Teksa thotë se u festua Dialogu Strategjik i suksesshëm SHBA-Shqipëri, Sekretari Blinken shton se mes diplomatëve të dy vendeve u diskutua për prioritetet e përbashkëta në reformën demokratike, mbrojtjen, duke përfshirë mbrojtjen kibernetike, ndryshimet klimatike dhe tregtinë.

Në fund të postimit, Blinken thotë se SHBA qëndron krah për krah me Shqipërinë, të cilën e cilëson një aleate prej kohësh.

“Kënaqësi të shikoja miken time Olta Xhaçka dhe të festonim një Dialog Strategjik të suksesshëm SHBA-Shqipëri. Ne diskutuam për prioritetet e përbashkëta në reformën demokratike, mbrojtjen, duke përfshirë mbrojtjen kibernetike, ndryshimet klimatike dhe tregtinë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë, një aleate prej kohësh”, shkruan Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

Në takimin në Departamentin e Shtetit të dyja palët rikonfirmuan partneritetin strategjik dhe angazhohen për të vijuar bashkëpunimin me interes të përbashkët në fusha si: mbrojtja, siguria kibernetike, energjia, transporti apo tregtia. Garanci që u konfirmua edhe nga Xhaçka dhe Blinken pas përfundimit të këtij dialogu.

 

 

Të Fundit