Blerja e pronave nga të huajt, Banka e Shqipërisë: 380 milionë euro investim në 2024

380 milionë euro, kaq kanë investuar të huajt për të blerë banesa dhe prona në Shqipëri vetëm vitin e kaluar. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë një rritje me 17%, për të tretin vit radhazi.

Pasuritë e paluajtshme janë kthyer në magnet për kapitalin e huaj, duke zënë 24% të totalit të investimeve të huaja direkte në vend. Çmimet janë rritur që prej pandemisë, por kërkesa mbetet e lartë. Sidomos në bregdet, ku të huajt blejnë jo vetëm për të jetuar, por edhe për të investuar.

Në fund të vitit 2024, stoku i përgjithshëm i investimeve në pasuri të paluajtshme arriti në 2 miliardë euro, një rekord 30% më shumë se një vit më parë.

Edhe pse kursi i këmbimit ka ndikuar në këtë rritje, Banka Qendrore nënvizon se imobilaret mbeten zgjedhja kryesore për të huajt. Pas tyre vjen sektori bankar, me 287 milionë euro, dhe industria nxjerrëse.

Kjo e fundit është në rënie. Investimet në sektorin nxjerrës zbritën në 214 milionë euro, 20% më pak se në 2023.

Në skenë po ngjitet një tjetër alternativë: energjia. Investimet në këtë sektor arritën 166 milionë euro, me një rritje modeste prej 4%. Veçanërisht energjia diellore po tërheq interes të lartë, jo vetëm nga investitorë vendas, por dhe të huaj.

Të Fundit