Rënia e lindjeve dhe emigracioni po reflektohen gjithnjë e më shumë edhe në bankat e shkollave. Në shumë shkolla të vendit, klasat po boshatisen vit pas viti.
Rënia e lindjeve dhe largimi i familjeve jashtë Shqipërisë po reflektohen gjithnjë e më shumë në bankat e shkollës, ku numri i nxënësve vijon të ulet.
Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se gjatë vitit shkollor 2024-2025, në arsimin parauniversitar u regjistruan rreth 406 mijë nxënës, ose 2.6% më pak krahasuar me një vit më parë. Tkurrja është evidentuar në të gjitha ciklet, nga kopshtet deri te gjimnazet.
Rënia është evidentuar në të gjitha ciklet, nga kopshtet deri në arsimin e mesëm. Vetëm në arsimin 9-vjeçar numri i nxënësve ka zbritur në mbi 250 mijë, ndërsa edhe gjimnazet kanë më pak të rinj në banka.
Ndërsa shkollat po humbin nxënës, universitetet po shohin një tendencë tjetër. Në arsimin e lartë janë regjistruar mbi 122 mijë studentë, me një rritje prej 2.1% krahasuar me vitin akademik paraardhës. Një pjesë e të rinjve po zgjedhin të vijojnë studimet universitare si një mundësi për më shumë specializim dhe akses në tregun e punës, ndërsa universitetet shqiptare po tërheqin edhe studentë nga jashtë vendit.
Ekspertët e lidhin tkurrjen e arsimit parauniversitar me uljen e lindjeve dhe largimin e familjeve të reja jashtë vendit, fenomen që prej vitesh po ndikon strukturën demografike të Shqipërisë. Nga ana tjetër, rritja në arsimin e lartë po shihet si një përpjekje e të rinjve për të investuar më shumë në kualifikim dhe specializim profesional.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se vajzat vijojnë të dominojnë në universitet. Në vitin akademik 2023-2024, rreth 66% e të diplomuarve në arsimin e lartë ishin femra, me përqendrim më të madh në degët e biznesit, shkencave sociale dhe shëndetit



