Një person u vra dhe një tjetër u plagos rëndë në një sulm me thikë mesnatën e të enjtes në qytetin holandez të Roterdamit. Policia ka arrestuar një të dyshuar i cili gjithashtu ka mbetur i plagosur.
Sulmi ndodhi pranë urës historike Erasmus të qytetit holandez.
E përditshmja holandeze De Telegraaf, duke cituar dëshmitarët në vendngjarje, raportoi se një burrë sulmoi njerëzit në mënyrë të rastësishme me dy thika ndërsa bërtiste “Allahu Akbar”.
Zëdhënësi i policisë Wessel Stolle konfirmoi gjithashtu se efektivët në vendngjarje kishin dëgjuar gjithashtu se agresori bërtiti frazën “Allahu Akbar”.
Një instruktor palestre, Reniël Renato David Litecia, mundi ta neutralizonte agresorin dhe t’i merrte thikat.
“Fillimisht mendova se ishte një përleshje, por kur fillova të vrapoja në atë drejtim pashë që nuk ishte një përleshje. Ishte një burrë me dy thika të gjata që po godiste me thikë një djalë tjetër të ri dhe kur fillova të bërtas ai u kthye dhe filloi të drejtohej drejt meje”- deklaroi instruktori i palestrës.
Një tjetër zëdhënëse e policisë, Kristel Arntz, tha se sulmuesi besohet të ketë sulmuar një person në një parking nëntokësor dhe më pas një të ri pranë një tarrace të frekuentuar pranë njërit skaj të urës që përshkon lumin Neë Maas që kalon përmes Roterdamit.
Arntz tha gjithashtu se hetimet janë në vijim dhe ishte shumë herët për të përcaktuar një motiv.
“Ne kemi arrestuar një të dyshuar, do ta marrim në pyetje. Do t’i shikojmë të gjitha deklaratat e dëshmitarëve dhe më pas do të shohim se cili ka qenë motivi i mundshëm”, tha ajo.
Identiteti i viktimave dhe i dyshuari nuk është bërë ende i ditur.