Berisha: Protesta e nesërme po pritet me interes të madh në SHBA dhe BE

Ish kryeministri Sali Berisha deklaroi se protesta e thirrur nga opozita në datë 11 shkurt ka zgjuar interes të madh në të gjithë botën.

Berisha deklaroi se me anë të kësaj proteste, shqiptarët i përgjigjen flakë për flakë aferës së Edi Ramës, duke theksuar se ai po bën të pamundurën për të fshehur krimin nga drejtësia shqiptare dhe ajo amerikane.

“Ka një impakt të jashtëzakonshëm te qytetarët shqiptarë dhe pritet me interes të madh në mbarë botën. Kjo është protesta në të gjithë memorien time që ka zgjuar interesin më të gjallë jo vetëm në Shqipëri, ku në të gjitha qytetet, fshatrat nuk flitet për gjë tjetër përveçse për këtë protestë, por interes të madh në mbarë botën, në SHBA dhe Europë.

Kjo është një protestë me të cilën shqiptarët i përgjigjen flakë për flakë njërit prej skandaleve më të mëdha të kohërave.

Reagojnë për largimin e kryeministrit i cili për karrierën e tij nuk nguroi të korruptojë dhe të përdorë si vrasës me pagesë zbuluesin ndoshta më të rëndësishëm të planetit. Përmasat e aferës e shumëfishojnë çdo ditë interesin për protestën e shqiptarëve sikundër theksoj këtu se Edi Rama është absolutisht i pashpresë.

Ai ka fshehur krimin para drejtësisë shqiptare dhe drejtësisë së SHBA. Ai është në hetim të thellë në SHBA dhe ai hetim është shterues për të gjithë veprimtarinë e tij kriminale ndaj vendit partner dhe aleat.

Edi Rama ka konsumuar vepër penale duke fshehur krimin në Shqipëri. Ai ka dërguar dëshmitarë në Nju York për të hetuar dhe manipuluar komplotin kundër opozitës ndërkohë që nuk ka paraqitur një dëshmitar të vetëm para drejtësisë shqiptare. Fshehja e krimit përbën një vepër të rëndë penale.

Kemi të bëjmë me një njeri mbi të cilin rëndojnë vepra të rënda penale i cili me veprimet e tij ka kërcënuar rëndë sigurinë e SHBA-ve”, deklaroi ai.

Të Fundit