Berisha me arrest shtëpie, deputetët e PD shkojnë pranë banesës së tij

Teksa ish-kryeministri Sali Berisha prej 24 orësh ndodhet i ngujuar në banesën e tij, mbështetës të Partisë Demokratike, anëtarë të kryesisë dhe deputetë të kësaj force politike ishin mbledhur poshtë shtëpisë së tij në shenjë solidarizimi.

Për ta masa e “arrestit të shtëpisë” të vendosur nga Gjykata e Posaçme është në vazhdën e procesit politik të ndërmarrë nga Kryeministri Rama, me qëllim asgjesimin e opozitës në vend.

“Institucionet e drejtësisë kanë treguar që janë në themel të kapjes së shtetit nga Edi Rama. Treguan se si veprojnë me një fill të qartë politik në goditje të Opozitës”, tha Bylykbashi.

“Sot është sulmuar e gjithë shoqëria shqiptare në dimensionin e lirisë dhe demokracisë”, tha Boçi.

Pavarësisht masave shtrënguese ndaj Sali Berishës thonë se nuk kanë ndërmend të ndalen nga aksioni i nisur me qytetarët dhe ai në parlament deri në rrëzimin e kryeministrit Rama.

“Vendimet për drejtimin e partisë i ka marrë anëtarësia në PD dhe Sali Berisha është kryetar i PD. Pavarësisht se sot është i burgosur politik i një regjimi autokratik ai dhe bashkë me gjithë organet drejtuese të PD do vazhdojë të udhëheqë lëvizjen politike të opozitës për të rrëzuar këtë regjim”, tha Bylykbashi.

“Mosbindja civile do jetë e fortë në vitin që na pret, në një aksion të gjithëanshëm politik”, tha Boçi.

Ndërsa nga selia blu, deputeti Ervin Salianji bëri thirrje për bashkimin e demokratëve duke lënë pas përçarjet.

“Është e ditur dhe e njohur publikisht që ne kemi pasur debate të brendshme, tensione e konflikte që për fat të keq kanë kulmuar në këtë seli. Besoj se sot më shumë se kurrë është dita që t’i hedhim të gjitha pas”, tha Salianji.

Berisha ka paralajmëruar se në Janar do të nisë mosbindjen civile në sheshe me qytetarët duke mos përjashtuar edhe protestat kombëtare.

Të Fundit