Bëri drift për “Tik Tok” në zona të banuara, e pëson 26-vjeçari në Cërrik

Një 26-vjeçar është proceduar penalisht, pasi u kap duke kryer manovra të rrezikshme me automjet në një zonë të banuar në Cërrik.

Pamjet e publikuara në rrjetin social “TikTok” tregojnë momentin kur drejtuesi i mjetit kryen drift në rrugë, duke rrezikuar sigurinë publike.

Përveç ndjekjes penale, ai u ndëshkua edhe me masë administrative prej 40 mijë lekësh, bazuar në nenin 139 të Kodit Rrugor.

“Në lidhje me një video të publikuar në portalin “TikTok”, në të cilën shfaqet një automjet duke kryer manovër të rrezikshme (drift), në Cërrik, sqarojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik kanë kryer veprimet për identifikimin e drejtuesit të automjetit.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi S. T., 26 vjeç, banues në Cërrik, është shoqëruar në Komisariat, bashkë me automjetin.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. T., për veprën penale “Prishja e qetësisë publike’”, njofton policia.

Të Fundit