Belinda Balluku: Viti 2025 plot sfida, do ulim çmimin e energjisë

Përmes një video mesazhi Balluku tha se, “në këtë ditë të parë të 2025 uroj të gjithë shqiptarët për një vit të mbarë me plot shëndet dhe begati e plot harmoni në familjet e tyre. Mbi të gjitha dua të uroj punonjësit e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ndërmarrjeve të varësisë, të cilët kontribuojnë në sektorin energjetik dhe të infrastrukturës, për gjithëçka kanë bërë gjatë vitit 2024, për premtimet e mbajtura dhe qëllimet e arritura.

Në vitin 2024 kemi shënuar gur kilometrik për infrastrukturën. Hapja e tunelit të Llogorasë një nga ëndrrat në sirtar të gjithë qeverive u realizua në 2024 nga qeveria Rama. Gjithashtu nisëm punën dhe do të dorëzojmë një nga segmentet më të rëndësishme të Korridorit Blu , Thumanë -Kashar që ka nisur të jetë në përdorim nga fundi i qershorit 2024, duke u pasuar me lidhjen e kontratave për tre segmentet e tjerë të këtij korridori dhe hapjen e garës ndërkombëatre për ndërtimin e segmentit Milot -Balldre i shumëpritur nga Shkodra dhe Lezha”, tha Balluku.

Ajo tha gjithashtu, se shumë punë të mira do të behen edhe gjatë viti 2025.

“Kemi kantierin e rëndësishëm të Korridorit 8-të, aty ku punohet për të ndërtuar një ndërlidhje që do t’i japë frymëmarrje jo vetëm Sqipërisë por edhe vendeve të rajonit. Korridori 8-të do të ndërlidhet me portin e ri në Porto Romano, gara e të cilit është një garë ndërkombëtare dhe tashmë është e hapur. Porto Romano do t’i shërbejë Kosovës edhe Maqedonisë së Veriut, por do të jetë edhe një port sigurie pasi aty do të jetë edhe një bazë e NATO-s”, tha Balluku.

Ajo theksoi se edhe energjia ka bërë hapa përpara.

“Për herë të parë ndërmarrjet tona kanë arritur të bëjnë bilance pozitive të mirëmenaxhuara në aspektin teknik, duke ofruar shërbime më të mira por edhe kanë shënuar stabilizim të financave të tyre, duke na dhënë mundësinë që gjatë vitit 2025 të ulim çmimin e energjisë elektrike për të gjithë shqiptarët.

Kemi ulur nivelin e humbjeve në nivelin 17.83% duke krijuar të ardhura plus për kompanitë dhe duke mundësur ulen e çmimit të energjisë. Gjithashtu kemi arritur në sezon veror të përballojmë fluskin e lartë për energji dhe kjo falë punës së mirë të gjithë punonjëve të OSHEE dhe OST”, u shpreh Balluku.

Balluku tha se, 2025 është një vit plot sfida.

“Unë jam besimplotë se me angazhimin dhe dëshirën e punonjësve tanë, ne do t’ja dalim për të bërë punë edhe më të mira. Kemi ndryshuar katërcipërisht sektorin e Ujësjellës- Kanalizimeve duke rritur të ardhurat e sektorit dhe duke shërbyer me sisteme të mordernizuara dhe të sigurta për të gjithë shqiptarët. Ndërsa një gur kilometrik është vendosur edhe në sektorin e Aviacionit Civil. Mbi 10 milionë pasagjerë janë ulur në aeroportine Tiranës që do të pasohet gjatë 2025 me aeroportin e Vlorës që do të nisë operimin e tij në pranverën e këtij viti. Lajme të mira do të kemi plot“, tha Balluku.

Sipas saj, “ashtu sikurse Tirana u rrethua nga një unazë infrastrurore rrugore moderme që plotëson të gjitha kushtet dhe parametrat e BE-së, ashtu do të vazhdojmë të punojmë në të gjithë vendin.

Për të përmbyllur të gjitha kantierët që tashmë kanë nisur nga puna dhe për të hapur kantiere të reja ndërtimi që do ta cojnë Shqipërinë në një nivel tjetër atë europian . Ashtu siç premtuam dhe po bëjmë punën tonë çdo ditë”, mbyll mesazhin Balluku.

Të Fundit