Sot në “Stop” trajtojmë rastin e vjedhjes së identitetit të shtetasit Julian Delvina, punonjës administrate. Ai tregon, se i është vjedhur ID-ja në vitin 2016 dhe është përdorur, për të shmangur tarifat doganore, duke futur makina të 2015-ës si të 2005-ës me dokumente të falsifikuara.Pas një verifikimi në sistemin Tims, rezulton, se Julian Delvina, nuk ka kaluar në pikat doganore, ku janë zhdoganuar makinat.Gjithashtu akt – ekspertimi kaligrafik tregon, se firma në procedurën e zhdoganimit të mjeteve, nuk është e Julianit. Madje dy prokurori kanë zbuluar, se kush janë personat, të cilet kanë përdorur ID-në e Julian Delvinës dhe kane shmangur tarifat doganore, duke ndryshuar vitin e prodhimit të automjeteve.Në atë kohë 3 prokurori, ajo e Tiranës, Përmetit dhe Sarandës nisën hetimet për Julian Delvinën me akuzën e shmangies së detyrimeve doganore.Dy prokuroritë, e Tiranës dhe Përmetit dolën në konkluzionin, që Julian Delvina nuk është personi, që ka futur këto automjete.
Prokuroria e Sarandës gjithashtu kishte regjistruar një procedim penal në 2017-ën. Prokurori Sali Hasa ka bërë akt ekspertimi të nënshkrimit të Julian Delvinës dhe rezulton, se firma dhe nënshkrimi nuk i përkasin shtetasit Julian Delvina.
Por prokurori Sali Hasa nuk ka marrë deklaratën e agjentit doganor, Ilir Iliazi, i cili ka bërë veprimet e zhdoganimit të mjetit. Në këto kushte, gjoba e doganës 50 milionë lekë për shmangie të detyrimeve, i është faturuar Julian Delvinës pa të drejtë, pasi cështja rri peng në prokurorinë e Sarandës.