Dominique Pelicot, 71-vjeçari i akuzuar për drogimin e gruas së tij dhe detyrimin e saj për të fjetur me dhjetëra burra ka pranuar të gjitha akuzat kundër tij në dëshminë e tij të parë që nga fillimi i gjyqit më 2 shtator.
Sipas mediave të huaja ai abuzoi për më shumë se 10 vjet me gruan e tij, duke rekrutuar burra të ndryshëm për ta përdhunuar.
Duke iu referuar 50 të bashkëpandehurve që akuzohen për përdhunimin e ish-gruas së tij Gisèle, Pelicot tha: “Unë jam një përdhunues si të tjerët në këtë dhomë”.
“Ata të gjithë e dinin, nuk mund të thonë të kundërtën”, tha ai.
Për ish-gruan e tij, ai tha: “Ajo nuk e meritonte këtë”.
“Isha shumë i lumtur me të”, tha ai në gjykatë.
Gisèle, së cilës iu dha mundësia të përgjigjej menjëherë pas kësaj, tha: “Është e vështirë për mua ta dëgjoj këtë. Për 50 vjet, kam jetuar me një njeri që nuk do ta kisha imagjinuar kurrë se mund të ishte i aftë për këtë. I besova atij, plotësisht.”
Pelicot, i cili u diagnostikua me një infeksion në veshka dhe gurë në veshka, mungoi në gjykatë për gati një javë për shkak të sëmundjes. Ai është vendosur të japë dëshminë e tij gjatë gjithë ditës, megjithëse do t’i lejohen pushime të shpeshta.