Basha takim me bizneset në Durrës: Zero interes për kreditë që merren për të paguar punëtorët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në qytetin e Durrësit ku u takua me një prej fabrikave më të mëdha të prodhimit të letrës në Shqipëri, fabrikën e Bardhyl Baltëzës, sipërmarrës i vjetër që mban në punë më shumë se 160 punëtorë në ndërmarrjen e tij.

“Dhe të paguash 12 lekë kilovatin e energjisë elektrike, ju merreni me mend kur të tjerët e paguajnë 5 cent. Të gjithë rajoni e paguan 5 cent, bile për disa rajone disa vende kanë dhe subvencionime. Na vjen keq për një gjë se duke na mbajtur në këtë gjendje nuk rrisim dot rrogat e punëtorëve, ky është problem kryesor në Shqipëri, domethënë nuk është vetëm problemi i imi kryesor,” – u shpreh Baltëza.

Kryedemokrati përsëriti edhe njëherë propozimet që Partia Demokratike ka ofruar tashmë prej disa javësh në ndihmë të biznesit prodhues: 200 mijë lekë të vjetra në muaj do të shkonin për çdo punëtor të rimarrë në punë nga biznesi dhe interes 0 për bizneset që marrin kredi për të paguar pagat e punëtorëve të tyre.

Ai ritheksoi premtimin për taksën e sheshtë 9 % dhe atë për sigurimet shoqërore 18 %, teksa një ndër vendimet kryesore të qeverisë së re sipas tij do të jetë ulja e çmimit të naftës, si një masë që do të ulë ndjeshëm koston për biznesin.

“Kemi propozuar për këdo që është hequr nga puna, ti s’ke hequr njeri por të tjerët janë detyruar të heqin njerëz nga puna, t’u japim nga një 200 mijë lekë të vjetra në muaj me kushtin që t’i rimarrin në punë. Për kreditë që je i detyruar të marrësh, në qoftë se merr kredi për të paguar punëtorët gjithçka për sa i përket interesit paguhet nga shteti, pra do t’i marrësh me 0 interes,” – tha Basha.

Të Fundit