Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po mban fjalën e tij në Kuvendin e 18 Dhjetorit të PD, të thirrur prej tij.
Basha theksoi se në këtë Kuvend do të merren disa vendime dhe nuk do të lejohen që në strukturat drejtuese të ketë njerëz të lidhur me komunizmin.
Ndër të tjera Basha tha se PD do të jetë partia më e pastër në Shqipëri duke mos lejuar në radhët e saj dhe në ekipet drejtuese të PD, njerëz që turpërojnë shoqërinë shqiptare.
“Do të jemi partia më e pastër në Shqipëri në përbërje të saj, duke mos lejuar në radhët tona dhe në ekipet drejtuese të PD, njerëz që turpërojnë shoqërinë shqiptare. Dhe duhet të biem dakord sot për këtë standart i cili do të përfshijë këto kategori.
Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD njerëz që kanë lidhje me historinë e dhimbshme të shqiptarëve që ka qenë diktatura komuniste. Historia e gjenocidit komunist në Shqipëri, nuk do gjejë kurrë jo vetëm asnjë avokat, por asnjë personazh që ka lidhje me atë regjim dhe atë parti. Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër.
Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD, njerëz të inkriminuar, në çfarëdo veprimtari kriminale gjatë këtyre tridhjetë viteve, që janë bërë objekt i dënimeve penale, për krime ndaj qënieve njerëzore, krime ekonomie, vepra penale apo përfshirje në organziata kriminale. Dhe këto jo vetëm për që do bëhen të zgjedhurit e popullit shqiptar por dhe të zgjedhurit brenda PD. Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër.
Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD, njerëz që cenojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë, devijime populiste dhe nacionizma të verbër që synojnë destabilizim të rajonit dhe krijojnë pasiguri për të ardhmen e Shqipërisë. PD duhet të jetë garancia e shqiptarëve që do të jetojnë në një vend me sytë mendjen dhe trupin në Perëndim. Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër”, tha Basha.