Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një bisedë online më zv. Presidentin e Komisionit Europian, njëkohësisht Komisioner për Mënyrën Europiane të jetesës, Margaritis Schinas. Biseda është përqendruar në shkëmbimin e pikëpamjeve mbi të ardhmen e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, përpjekjeve që duhet të bëjë vendi për t’u anëtarësuar në Union dhe vizionin e kryeopozitarit mbi këtë proces.
Lideri i opozitës ka theksuar se “pa integrimin europian të Shqipërisë nuk do të jemi në gjendje të sigurojmë standardet e jetesës” dhe vlerësoi se arritjet kryesore për Shqipërinë janë shënuar duke punuar së bashku me partnerët. Ai u shpreh i bindur se ai dhe ekipi i tij janë në gjendje ta realizojnë anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian.
Për kryedemokratin, integrim në BE do të thotë ndihmë për ekonominë që të dalë nga kriza, rritje pagash dhe investime publike. Prandaj, Basha u angazhua që “brenda 100 ditëve të para të qeverisë sime ta bëjmë të mundur hapjen e negociatave.”
Temë e bisedës ishte edhe pandemia dhe çështja e vaksinimit. Basha e konsideroi përparësi kryesore transparencën dhe bashkëpunimin me BE për të sjellë në Shqipëri vaksina të çertifikuara nga unioni.
Për Bashën, Shqipërinë e pret një e ardhme e ndritur. Të rinjtë shqiptarë do të trajnohen në teknologji dhe profesione të tjera që të sigurojnë paga të larta nga investimet europiane që do të vijnë dhe do të hapin vende të reja pune të mirëpaguara.
Ai u shpreh se Shqipëria ka “nevojë për ndihmën tuaj, kemi nevojë për udhëzimin tuaj dhe unë mund t’ju siguroj që kemi ekipin më të mirë së bashku, kemi një projekt dhe vizion shumë të qartë.” 8 vitet në vendnumëro, nënvizoi Basha, e kanë lënë Shqipërinë pas çdo vendi në rajon, prandaj nuk duhet të humbasim më shumë kohë.