Balla: Taksa e Qarkullimit nuk hiqet, kush lëviz me makinë duhet ta paguajë!

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se maxhoranca nuk ka ndërmend të votojë për heqjen e Taksës së Qarkullimit për naftën me qëllim uljen e çmimit të karburanteve në treg, ndërkohë që qeveria subvencionon çmimin e energjisë elektrike për familjarët dhe bizneset e vogla.

Duke iu përgjigjur propozimit të demokratëve përmes Alibeajt, Balla tha se qeveria ka subvencionuar çmimin e biletës për qytetarët që udhëtojnë me autobus, ndërsa ata që lëvizin me makina sipas tij, duhet të paguajnë taksa.

Ndodh për herë të parë në botë që paketa e propozuar nga opozita është më e vogël se ajo që propozon qeveria. Opozita mund të propozoë ç’të dojë se është me duar në xhepa dhe s’ka përgjegjësi. Paketa jonë është 350 milion dollar. Janë para që shkojnë te njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.

Këtu kishte një propozim që të hiqet taksa e qarkullimit. A. Alibeaj unë dhe ti do ta paguajmë naftën me të njëjtin çmim në treg, kurse të gjithë qytetarët që lëvizin me autobus do ta paguajmë biletën sa e kanë patur para luftës. Nuk jemi këtu që të bëjmë politika për vete, dhe nuk jemi këtu për të ulur çmimin e naftës për mua dhe ty. Jemi këtu që të mos lejohet prekja nga çmimi I atyre që udhëtojnë me autobus”, tha Balla.

Sa i përket propozimit të demokratëve për të rritur ndihmën ekonomike, Balla tha se qeveria e ka bërë këtë më herët, madje gjatë miratimit të buxhetit 2022 është dyfishuar dhe trefishuar për disa kategori.

Ju nuk e keni patur mendjen, por kur kemi miratuar Buxetin e vitit 2022, i cili është shumë më i mirë nga sa keni propozuar ju. Kemi rritur dy herë masën e ndihmës ekonomike për 15 mijë familje. Kemi rritur 3 herë masën e ndighmës ekonomike për fëmijët jetimë dhe gratë e dhunuar”, tha Balla.

Sa i përket TVSH-së, duhet të dini se heqja e saj nuk do të prekte qytetarët, pasi 60% e bizneseve ku blihen produktet ushqimore nuk kanë TVSH.

Në lidhje me nivelin e taksimit, Balla tha se qeveria aktuale është ajo që takson më tepër biznesin e madh, ndryshe nga sa bënte qeveria e Berishës.

Çfarë propozuan demokratët:

Uljen në 6% të TVSH për mallrat e shportës bazë, propozim konsistent i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike;

Pezullimin e menjëhershëm të taksës së qarkullimit dhe kthimin e saj në nivelet e 8 viteve më parë, në masën 7 lekë për litër nga 27 lekë/litër aktualisht, duke eleminuar taksën Rama mbi karburantin;

Shkurtimin e menjëhershëm të shpenzimeve operative të qeverisjes qëndrore me të paktën 25% të buxhetit të planifikuar për këtë zë për vitin buxhetor 2022;

Dyfishimin e menjëhershëm të ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë dhe jo thjesht trajtimin financiar të tyre për një periudhë afatshkurtër 3-mujore;

Rritjen e menjëhershme të pensioneve me dyfishin e indeksimit të parashikuar nga vetë qeveria, duke filluar nga 1 Prill 2022;

Rritjen e pagës minimale në masën 36,000 (tridhjetë e gjashtë mijë) lekë në muaj duke filluar nga 1 Prill 2022;

Pezullimin e menjëhershëm të pagesave buxhetore për PPP-të dhe koncesionet, vecanërisht ato të cilat janë nën hetim nga Prokuroria e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për veprimtari korruptive;

Rritjen e subvencionimit ndaj fermerëve në masën 100 milion euro/vit me qëllim rritjen e prodhimit dhe uljen e kostove të tyre, për t’i bërë produktet shqiptare konkurruese në rajon;

Kryerjen e një hetimi të thelluar dhe gjithëpërfshirës nga Autoriteti i Konkurrencës, si dhe marrjen e masave urgjente në përputhje me ligjin nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”;

Raportimin nga Autoriteti i Konkurrencës përpara Kuvendit të Shqipërisë brenda një afati 30-ditor nga data e miratimit të kësaj rezolute, lidhur me konkluzionet e hetimit, masat e marra dhe zbatimin e tyre në praktikë. /

Të Fundit