Balla nga Lushnja: Samiti i Procesit të Berlinit e shndërroi Shqipërinë në Europën e Ballkanit

Samiti i Procesit të Berlinit i mbajtur në Tiranë e shndërroi Shqipërinë në Europën e Ballkanit, duke rritur e forcuar rolin e Tiranës zyrtare në rajon. Deklaratën ministri i Brendshëm Balla e bëri nga Lushnja, në një dekklaratë për mediat pasi mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 79-vjetorit të Çlirimit të qytetit.

Me këtë rast, ai bëri homazhe në varrezat e dëshmorëve të LANÇ. Balla u shpreh se nderimi i dëshmorëve është një mesazh që synon të përjetësojë sakrificat e bëra për çlirimin e atdheut dhe për këdo që i shërben me devotshmëri shtetit dhe qytetarëve në detyrën e ngarkuar.

Ministri nënvizoi se ka një ngjashmëri mes kontributeve të Shqipërisë në LANÇ dhe atyre në NATO sot, me të njëjtët aleatë dhe me të njëjtin orientim euroatlantik, duke vënë në dukje edhe suksesin e organizimit të samitit të liderëve të Procesit të Berlinit në Tiranë.

Prononcimi i plotë i ministrit Balla për mediat:

Vijmë këtu për të përkujtuar të gjithë këta djem e vajza, të cilët kanë dhënë jetën për çlirimin e atdheut e natyrshëm për të kujtuar gjithkënd që i shërben me devotshmëri, në detyrën e ngarkuar, shtetit dhe qytetarëve.

Në fakt, jo vetëm për ditën e Çlirimit, por edhe në 5 Maj, ne do të vazhdojmë të jemi këtu për të përçuar pikërisht këtë mesazh të rëndësishëm të respektit ndaj gjithkujt që ka dhënë jetën, sikurse janë dëshmorët, apo gjithkujt që bën detyrën ndaj shtetit e qytetarëve.

Vitin e ardhshëm është 80-vjetori i Çlirimit dhe natyrshëm që qeveria shqiptare dhe autoritetet vendore flas këtu për të gjitha bashkitë e vendit, do të kemi një axhendë të plotë festimesh kudo nëpër Shqipëri për t’u konkluduar me 29 Nëntorin kur do të festohet edhe 80 vjetori i Çlirimit, siç i ka hije këtij momenti historik të angazhimit të Shqipërisë përkrah aleatëve të vet.

Në fakt ka një lloj krahasimi me Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare edhe me pozicionin sot të Shqipërisë, jo vetëm si një anëtare e denjë NATO-s, por si një kontributor i rëndësishëm për paqe dhe stabilitet, në një rajon të trazuar sikurse ka qenë gjithmonë Ballkani.

E vërteta është që këtë javë fakti i mbajtjes në Tiranë të Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, e shndërroi Shqipërinë, e shndërroi Tiranën në Europën e Ballkanit. Roli i Shqipërisë pikërisht është ky, për të europianizuar Ballkanin jo për të ballkanizuar Europën.

Unë jam shumë krenar dhe besoj si çdo qytetar tjetër i Shqipërisë për këtë rol e mesazh të rëndësishëm që jep Shqipëria në orientimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm.

Të Fundit