Nga Athina, Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla u ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë bashkatdhetarëve shqiptarë në Greqi që ende nuk kanë tërhequr zarfin e votimit, ta bëjnë atë pa humbur kohë.
“Tani ajo që na duhet dhe që duhet nga secili prej jush është që ata që nuk e kanë tërhequr ende të lidhen menjëherë dhe të shkojnë ta marrin vetë zarfin me fletën e votimit,” theksoi Balla, duke nënvizuar se koha është vendimtare për të garantuar që çdo votë të mbërrijë në Shqipëri brenda afatit, ora 19:00 e datës 11 maj 2025.
Balla risolli në vëmendje se ky proces është historik, pasi për herë të parë diaspora ka të drejtën e votës dhe çdo votë e hedhur është një mbështetje e drejtpërdrejtë për Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama: “Për t’i dhënë Edi Ramës dhe Partisë Socialiste një fitore si asnjëherë tjetër, falë votës tuaj, falë votës së diasporës,” shprehet Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste, Taulant Balla nga Athina.
Balla falënderoi shqiptarët që tashmë kanë votuar dhe i ftoi të gjithë ata që e kanë tërhequr fletën e votimit ta dorëzojnë menjëherë në pikat postare të DHL, ose të nënkontraktorëve të saj, Kurier apo Speedex, në mënyrë që të sigurohet mbërritja në kohë e votës në Shqipëri për numërim më 11 maj.