Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një fjale para anëtarëve të Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian, deklaroi se Shqipëria ka shënuar një arritje të rëndësishme në procesin e integrimit europian, pas vlerësimit pozitiv të përmbushjes së piketave të ndërmjetme të Grupkapitullit të Themeloreve.
Sa i përket investimit në Vlorë, Balla informoi se zona e investimit në Zvërnec nuk ka lidhje me Deltën e Vjosës.
“Janë lajme të rreme që shpërndahen me qëllim për të krijuar konfuzion. Po përballemi me një fushatë dezinformimi, por do ta pastrojmë mjegullën. Zona e investimit në Zvërnec është pronë private me tituj të regjistruar pronësie, ndërsa zona “Pishë Poro–Nartë” vijon të mbetet “Peizazh i Mbrojtur” sipas klasifikimit të IUCN-së. Balla nënvizoi se Delta e Vjosës gëzon nivelin më të lartë të mbrojtjes si park kombëtar dhe nuk preket nga zhvillimet e planifikuara. Lidhur me Ishulli i Sazanit, Balla nënvizoi se ishulli mbetet pronë shtetërore dhe nuk ka qenë asnjëherë objekt shitjeje. Sipas Ballës, modeli i propozuar synon përfshirjen e shtetit shqiptar në investim përmes aksioneve, ndërsa negociatat me investitorët janë ende në vijim dhe nuk ka një marrëveshje përfundimtare”, u shpreh Balla.
Sipas Ballës, vendimi i Konferencës së Anëtarësimit në Bruksel konfirmon progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe përforcon perspektivën europiane të vendit.
Duke u ndalur te reforma në drejtësi, Balla theksoi se sistemi ka kaluar nga faza e ndërtimit institucional në atë të rezultateve konkrete, duke veçuar rolin e SPAK dhe gjykatave të posaçme në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.
Në përfundim, Balla garantoi se Shqipëria do të vazhdojë të respektojë standardet europiane për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa paralelisht do të zhvillojë sektorin turistik si një motor të rëndësishëm të rritjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve.
Fjala e plotë e Taulant Ballës para anëtarëve të Parlamentit Europian
Tre javë më parë, në Bruksel, Konferenca e Anëtarësimit arriti në përfundimin se Shqipëria ka përmbushur me sukses të gjitha piketat e ndërmjetme të Grupkapitullit të Themeloreve.
Kjo përbën një arritje vërtet domethënëse dhe një vlerësim të rëndësishëm të përpjekjeve të vazhdueshme reformuese të Shqipërisë, të forcimit të institucioneve demokratike dhe të angazhimit të saj të palëkundur politik në procesin e integrimit europian.
Ky vendim konfirmon se Shqipëria po bën përparim të qëndrueshëm dhe të besueshëm në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe forcon bindjen se e ardhmja europiane e vendit është më pranë se kurrë.
Dhjetë vjet më parë, Shqipëria diskutonte se si të ndërtonte institucione të pavarura të drejtësisë. Sot, diskutimi është për rezultatet që këto institucione po prodhojnë. Procesi i rivlerësimit kalimtar ka transformuar sistemin e drejtësisë. SPAK-u dhe Gjykatat e Posaçme po hetojnë dhe ndjekin penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar. Hetimet financiare dhe konfiskimi i pasurive janë zgjeruar ndjeshëm.
Vlerësimi pozitiv i Raportit për Vlerësimin e Piketave të Ndërmjetme (IBAR) pasqyron konkluzionin e Komisionit Europian se reforma në drejtësi në Shqipëri ka kaluar nga projektimi institucional në performancën institucionale. Sfida që kemi përpara është ruajtja dhe thellimi i këtyre rezultateve.
Sa i përket protestës. Çdo formë proteste është e mirëpritur dhe po respektohet si e tillë. Ne po kalojmë përmes një fushate shumë të madhe dezinformimi. Gjithçka nisi me një fushatë antisemitizmi të orkestruar në internet nga vende jomiqësore dhe aktorë keqdashës të përfshirë në operacione dezinformimi. Aktiviteti në rrjetet sociale dhe ndikimi i algoritmeve arritën nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë.
Më lejoni t’i shpjegoj me detaje për të larguar paksa mjegullën e dezinformimit.
Zona e investimit në Zvërnec është pronë private, e regjistruar në kadastër prej shumë vitesh. Plani i zhvillimit për atë zonë është rezultat i marrëveshjeve ndërmjet investitorëve dhe pronarëve që disponojnë tituj pronësie të regjistruar në regjistrin kadastral, ashtu siç ndodh në raste të panumërta të zhvillimit të pronave private. Investitorët e kanë blerë tokën nga këta pronarë dhe aktualisht janë pronarët legjitimë të saj.
Zona “Pishë Poro–Nartë” nuk e ka ndryshuar asnjëherë kategorinë e saj si “Peizazh i Mbrojtur” që nga viti 2004, kur u shpall për herë të parë e tillë. Ajo ka qenë dhe mbetet një zonë e mbrojtur e klasifikuar si Kategoria V sipas IUCN-së, pra Peizazh i Mbrojtur.
Kjo zonë nuk ka asnjë lidhje me Deltën e Vjosës, pavarësisht përpjekjeve të qëllimshme për të krijuar konfuzion dhe për të dhënë përshtypjen se delta do të preket nga ndërtimet. Eshtë fake news. Për fat keq i shpërndarë dhe nga një anëtar i Parlamentit Europian. Kjo është e pamundur, sepse lumi Vjosë, përgjatë të gjithë rrjedhës së tij prej 480 kilometrash, së bashku me degët dhe grykëderdhjen e tij në Adriatik, gëzon nivelin më të lartë të mbrojtjes si Park Kombëtar, Kategoria I, dhe tashmë është pjesë e ekosistemeve të Biosferës së UNESCO-s.
Sipas kritereve të përcaktuara nga kuadri ndërkombëtar, Kategoria V nuk është një zonë ku zhvillimi ndalohet, por një peizazh i mbrojtur ku biodiversiteti, vlerat natyrore dhe aktiviteti njerëzor duhet të bashkëjetojnë në mënyrë harmonike dhe të qëndrueshme.
Çdo lajm që pretendon se ne kemi dhënë apo shitur ishullin e Sazanit është lajm i rremë. Ai është pronë shtetërore dhe asnjëherë nuk ka qenë objekt shitjeje apo kërkese për shitje.
Mënyra e propozuar për ta vënë këtë pronë shtetërore në funksion të transformimit të saj në një destinacion turistik të klasit botëror është përmes pjesëmarrjes së shtetit në vetë investimin. Në bazë të një procesi të detajuar negociatash, shteti do të përfitonte aksione si palë e përfshirë në investim, ndërsa ishulli do të mbetej në çdo kohë pronë e shtetit shqiptar.
Negociatat janë ende në zhvillim dhe ende nuk është arritur asnjë marrëveshje përfundimtare. Paralelisht, investitorët kanë vijuar studimet e tyre të zhvillimit, por ende nuk kanë paraqitur projektin arkitektonik dhe as vlerësimin përkatës të ndikimit në mjedis.
Dua t’ju garantoj se Shqipëria, si një nga vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, e cila ka bërë përparim të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit, progres i vlerësuar nga Komisioni Europian, do të vazhdojë të respektojë standardet dhe angazhimet në këtë drejtim.
Shqipëria do të zhvillojë dhe forcojë ekonominë e saj turistike për të mirën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.



