Balla: Ju sfidoj, gjeni një vend tjetër që në 8 vite të ketë dyfishuar buxhetin sikurse e ka bërë Shqipëria

Në seancën e sotme plenare, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, deklaroi se buxheti falë mirë-administrimit të qeverisë në 8 vite është dyfishuar.

Ai sfidoi opozitën duke thënë që të gjejnë një tjetër shtet që në 8 vite ta ketë dyfishuar buxhetin siç ka bërë Shqipëria. Më tej me ironi Balla tha se pyetjes le t’i përgjigjet Lulzim Basha pasi të mbarojë kryesia e PD.

“Buxheti është një përllogaritje që bëhet mbi të ardhurat. Fakti që viti i fundit të qeverisjes tuaj pati një buxhet prej 3.35 mld dollarë dhe nesër votojmë në parim një buxhet prej 6.37 mld  dollarë është fakti që kjo qeveri edhe në kushtet e vështirësive, tërmeti dhe pandemia ka mirëadministruar zërin e të ardhura për një buxhet dy herë më të madh.

Unë ju sfidova dhe ju thashë që gjeni një shtet që në 8 vite ta ketë dyfishuar buxhetin siç ka bërë Shqipëria. Ta marrim Serbinë meqë Basha e ka qejf, e marrim. Doni të merrni Maqedoninë e Veriut? E marrim. Pyetjen nuk e kam për ju, sapo të mbarojë kryesia e PD le të vijë Basha të përgjigjet.

Ajo që ka të bëjë me njohjen e buxhetit, nuk mbahet buxheti i arsimit këtu. Në janar, ministria e Arsimit shpall thirrjet ku bashkitë do të aplikojnë dhe aty do të gjesh edhe shkollën përkatëse të devollit. Nuk ndahet buxheti. Sot është në nivel makro”, u shpreh Balla.

Të Fundit