Asnjë vajzë nën 18 vjeç nuk ka lidhur martesë në Shqipëri përgjatë vitit të shkuar.
Sipas të dhënave zyrtare përgjatë vitit 2022 janë regjistruar 18.782 martesa dhe ajo çfarë bie në sy, veç uljes së numri të përgjithshëm të celebrimeve është se për herë të parë nuk ka asnjë rast nën moshën 18 vjeç.
Martesat e hershme janë një fenomen që po vjen drejt zhdukjes së vendin tonë.
Bazuar në të dhënat e institutit të statistikave, numri i vajzave të martuara para moshës 18 vjeç gjatë vitit 2020 ishte 16, ndërkohë që në 2019 ishte 20.
Kodi i familjes sanksionon se martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Gjykata e vendit ku lidhet martesa, për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën edhe përpara kësaj moshe.
Por për vitin 2022 në asnjë gjykatë nuk ka pasur kërkesa për lidhje martese nën moshën 18 vjeç.
Në shumicën e vendeve, martesa e hershme është e ndaluar nga ligji dhe konsiderohet si shkelje e të drejtave të njeriut. Parashikimet globale flasin për 150 milion vajza që do të martohen në moshë të hershme deri në vitin 2030.