Më 3 Tetor emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi rastin e Gëzim Doçit, i cili kurohet me tumor në kokë. Çdo vit ai duhet të kryejë 9 analiza, por që nga muaji Maj ka bërë vetëm 5. Për të tjerat mungojnë reagentët.
Gëzim Doçi: Unë jam i sëmurë, jam invalid i grupit të plotë, kam bërë dy ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk mi bëjnë analizat. Bëhet fjalë për 9 analiza që i kam të përhershme për t’i bërë çdo vit dhe nga 9 që në Maj më kanë bërë vetëm 5. Arsyeja është që thonë nuk kemi reagentë.
Gazetarja e Stop shkoi vet në QSUT për të verifikuar mungesën e këtyre reagentëve.
Specialistja 2: Po nuk ka pra! Nuk kanë ardhur akoma. Fol te dhoma 3.
Mjekja laborante: Jo nuk kanë ardhur! Po të kishin ardhur unë do t’ju kontaktoja, se unë e kam numrin e Gëzimit. Dhe i kam thënë që në momentin që unë do të kem informacionin më të vogël që këto reagentë, ka ardhur furnizimi në depon e laboratorit, do ta kontaktojmë që të vijë t’i bëjë.
Mungesa e këtyre reagentëve i detyron pacientët që të shkojnë për analiza në spitalet private. Mirëpo fatura është e kripur. Konkretisht, analizat që duhet të bëjë z.Gëzim Doçi kushtojnë plot 255 mijë Lekë të vjetra.
Për këtë arsye, Gëzim Doçi ka një apel për shtetin: Këto analiza që janë për t’u bërë, mos na sorollatin kot laboratoreve sepse nuk kemi lekë për t’i bërë.
Gazetarja e “Stop” dhe Gëzimi u rikthyen në QSUT për analizat e këtij të fundit. Jo vetëm që reagentët nuk kanë ardhur, por edhe medikamentet, që merrte me rimbursim, janë hequr nga lista.
Drejtoresha: Si kaluat?
Qytetari: Mirë si kalove ti?
Drejtoresha: Juve numrin e keni lënë tek laboratori për analizat që do të merret reagenti.
Qytetari: Po ka që në Maj që e kam lënë.
Drejtoresha: E di, e di zotëri! Po nuk ka ardhur akoma!
Qytetari: S’ka ardhur reagenti?
Drejtoresha: Jo! Të jeni i sigurtë që sapo të vijë do t’ju lajmërojmë.
Qytetari: Shteti shqiptar, në qendër të Shqipërisë mos me i ba analizat një të sëmuri me tumor në kokë që në Maj?
Drejtoresha: Shteti shqiptar nuk është vetëm QSUT-ja, ka dhe ambulanca të tjera. Ju thashë, keni kaluar te ambulancat e tjera?
Qytetari: S’ka reagentë? Ka a s’ka? Më thuaj mua po, jo? T’i baj, s’ti baj!
Drejtoresha: Për momentin nuk kemi!
Qytetari: Hë në rregull!
Drejtoresha: Do të njoftoheni sapo të vijnë.
Cilësia e ilaçeve është një tjetër problem, me të cilin përballet Gëzimi dhe të gjithë të sëmurët, ndaj të afërmit ia sjellin medikamentet nga Belgjika.