Shteteve të Bashkuara i duhet një partner në Kosovë i cili e kupton nevojën për t’i shmangur veprimet destabilizuese, ta avancojë stabilitetin rajonal dhe t’i mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, tha një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Zëdhënësi e tha këtë të hënën për Radion Evropa e Lirë, pak ditë pasi SHBA-ja e pezulloi për kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Ai tha se e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, mban takime të rregullta me Kurtin dhe se “ne ia kemi shprehur drejtpërdrejt kryeministrit shqetësimet tona në këto takime, dhe e kemi bërë plotësisht të qartë qëndrimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.
Ambasada amerikane nuk ka shpjeguar se cilat kanë qenë veprimet e kryeministrit në detyrë Kurti që çuan në vendimin e saj për ta pezulluar pa afat dialogun e planifikuar strategjik.
Të hënën, zëdhënësi theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë t’i vlerësojë veprimet e Qeverisë në detyrë”, duke mos dashur të japë më shumë hollësi.
Ai siguroi se SHBA-ja do të mbetet gjithmonë mike e ngushtë e popullit të Kosovës dhe është plotësisht e përkushtuar ndaj partneritetit me Kosovën, por tha se u kërkon partnerëve të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitet dhe siguri.
“Ne dëshirojmë të ecim përpara me Qeverinë në detyrë, por na nevojitet një partner që e kupton domosdoshmërinë për të shmangur veprimet destabilizuese dhe që është i përkushtuar të avancojë stabilitetin rajonal dhe të mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksoi zëdhënësi.
Javën e kaluar, Qeveria në detyrë i hodhi poshtë kritikat e SHBA-së që çuan në pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik, duke thënë se “veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit me qëllim garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë”.