Tre djem të pasionuar pas alpinizmit mundën të shpëtonin pasditen e së martës një turiste zvicerane që kishte mbetur prej tre orësh e bllokuar në një zonë të thellë të Alpeve në veri të Shqipërisë.
Turistja, e cila kërkoi të mos i bëhej publik identiteti, ishte nisur për të kryer një itinerar mjaft të kërkuar nga vizitorët, siç është kalimi Valbonë-Theth – rreth 14 kilometra ecje me një disnivel deri në 800 metra lartësi.
Erind Zalli, një prej tre djemtë që i erdhi në ndihmë, tha se gjatë ecjes për në Qafën e Valbonës turistja ka zgjedhur shtegun për nga ana veriore, e cila gjatë këtij sezoni ka prani të madhe të dëborës.
“Gjatë dimrit për të kaluar në Theth zgjedhim një shteg tjetër nga ai veriori, pasi në anën veriore dëbora ngrin shumë pasi nuk preket gjatë nga dielli,” – tha Erind Zalli duke treguar se shtegu verior është tejet i rrezikshëm me dëborë dhe shkëmbinj të thepisur.
Turistja kishte mbetur në një pjesë të pjerrët ku dendësia e dëborës ka qenë më e madhe. Fatmirësisht për të në atë pjesë ka pasur mundësinë për të komunikuar me telefon dhe i ka bërë thirrje bujtinës në të cilën kishte bujtur. Bujtina ka njoftuar Erindin dhe ky më pas me dy djem të tjerë, Nor Hysajn dhe Erenik Selimajn, bëri të mundur gjetjen e saj, ndihmën dhe kthimin shëndoshë e mirë për në bujtinë.
Ndërhyrja u bë e mundur falë sigurimit me litarë dhe ecjes me kthetra dëbore.
Erindi, i cili njihet në zonën e Valbonës për përvojën e gjatë në ngjitjen e majave të Alpeve i tha Euronews Albanias se për të parandaluar raste të tilla në sezonin turistik, zona e ka të domosdoshme ngritjen e një klubi alpin me persona të trajnuar dhe pajisje specifike që mund t’u vijnë në ndihmë njerëzve që bllokohen në male.