“Alo, te Komuna e Parisit një i çmendur po rrezikon fëmijët”! Policia aksion në Tiranë pas telefonatave të qytetarëve (Video) – Stop
Lajme, Të Gjitha

“Alo, te Komuna e Parisit një i çmendur po rrezikon fëmijët”! Policia aksion në Tiranë pas telefonatave të qytetarëve (Video)

Policia ka bërë publike shtatë telefonata anonime të bëra së fundmi në lidhje me shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor.  Teksa publikon rastet policia bën me dije dhe masat ndëshkimore të marra ndaj tyre.

“Shumica e informacioneve të adresuara nëpërmjet telefonatave kanë rezultuar të vërteta dhe shumë të rrezikshme. Nëse nuk do reagohej në kohë nga strukturat e kontrollit të territorit, do të kishte pasoja të rënda për jetën”, shkruan policia në njoftim.

Disa nga denoncimet e publikuara janë:

Telefonata e parë anonime: “Alo Policia, tek “Komuna e Parisit”, drejtuesi i një automjeti “Mercedez” po ecën si i çmendur dhe po rrezikon fëmijët dhe banorët e zonës”.

Koha e reagimit 4 minuta, automjeti konstatohet në rrugën “Liman Kaba”, drejtuesi i automjetit ndëshkohet me 16000 lekë të rinj gjobë, për gara shpejtësie dhe xhama të errësuar. I njëjti drejtues automjeti disa orë më vonë denoncohet nga qytetarë të tjerë se po dhunonte një femër dhe pasi shoqërohet, krahas veprimeve te tjera procedohet edhe për xhama të errësuar.

Telefonata e dytë anonime: “Alo Policia, drejtuesi i një automjeti “Opel” po bën manovra të rrezikshme tek zona e inxhinierisë së ndërtimit, duket në gjendje të dehur”.

Koha e reagimit 2 minuta, pasi konstatohet, drejtuesi i mjetit rezulton në gjendje të dehur dhe me mangësi në dokumentacion, arrestohet dhe ndëshkohet me 70.000 lekë të rinj, pezullim leje drejtimi 12 muaj dhe tërheqje leje qarkullimi.

Ankesë te Komisariati Dixhtal: “Kur do merren masat nga Policia e Shtetit, që mjetet e tjera të mos qëndrojnë pranë vendit të taksive në rrugën “Petraq Leka” dhe të mos na marrin pasagjerët se po na falimentojnë”.

Koha e reagimit 45 minuta, konstatohen dy nga mjetet që kishin zënë vendin e taksive, drejtuesit e tyre ndëshkohen nga 40.000 lekë të rinj secili, për ushtrim aktiviteti të palicencuar, shkelje e përsëritur disa herë.

Telefonata e tretë anonime: “Alo Policia, drejtuesi i një automjeti është i pirë dhe punon me pasagjerë në të zezë, tani ndodhet tek Zogu i Zi”.

Koha e reagimit 7 minuta, pasi u konstatua, drejtuesi rezultoi nën efektin e alkoolit dhe duke ushtruar aktivitet të palicencuar për transport pasagjerësh, ndëshkohet me 25000 lekë të rinj.

Telefonata e katërt, e adresuar nga 7 qytetarë të ndryshëm: “Alo Policia, drejtuesi i një automjeti po ecën si i çmendur nga Durrësi për në Tiranë, duket i pirë”.

Koha e reagimit 11 minuta, pasi ndalohet në zonën e Laprakës, drejtuesi rezultoi në gjendje të dehur, arrestohet dhe ndëshkohet me 30.000 lekë të rinj dhe pezullim leje drejtimi për 20 muaj.

Telefonata e pestë anonime: “Alo Policia, një automjet “Audi” po bën gara në zonën e Laprakës”.

Koha e reagimit 2 minuta, pasi konstatohet dhe ndalohet, rezultoi se drejtuesi i automjetit ishte i papajisur me leje drejtimi, arrestohet në kushtet e flagrancës. Ndëshkohen drejtuesi dhe pronari i automjetit, me 120.000 lekë të rinj.

Telefonata e gjashtë anonime: “Alo Policia, drejtuesi i një automjeti po bën xhirime gomash, duket i pirë”.

Koha e reagimit 9 minuta, nga patrulla e Policisë Rrugore i jepet shenjë ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk bindet dhe vijon të shkelë semaforët, të xhirojë gomat, të futet në sens të kundërt dhe gjatë ndjekjes policore rrezikon përdoruesit e tjerë të rrugës përreth 45 minuta në zona të ndryshme të kryeqytetit. Pasi ndalohet dhe neutralizohet nga shërbimet e Policisë, arrestohet në kushtet e flagrancës, ndëshkohet me 100.000 të rinj, i hiqet leja e drejtimit deri në riverifikimin e kushteve fizike dhe psiqike nga komisioni përkatës, i ndalohet administrativisht automjeti. Dëmet anësore: 2 automjete të Policisë të dëmtuara gjatë ndjekjes dhe një efektiv policie i plagosur. Efekti: një “vrasës sigurie” më pak në rrugët tona.

Telefonata e shtatë: “Alo, drejtuesi i një kamioni mallrash po ecën si i çmendur nga Brryli drejt spitaleve”.

Drejtuesi konstatohet nga patrulla e Policisë Rrugore, duke përdorur aparatin celular dhe rezulton në gjendje të dehur, arrestohet, ndëshkohet me 95000 lek të rinj dhe i pezullohet leja e drejtimit për 24 muaj.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *