Alda Klosi lë spitalin, rikthehet në burgun e grave

Ish-zyrtarja e lartë, Alda Klosi ka lënë sot ambientet e spitalit dhe është rikthyer në paraburgim.

Klosi e akuzuar për fshehje të ardhurash dhe pastrim parash, u transferua me urgjencë në QSUT katër ditë më parë pasi shfaqi shqetësime shëndetësore, përkatësisht tension të lartë.

Sot rreth orës 15:00, pasi gjendja e saj shëndetësore është stabilizuar, Klosi është rikthyer në ambientet e paraburgimit në burgun e grave “325” në Tiranë.

Shëndeti i Klosit dhe transferimi në spital u bë shkasë për shtyrjen e masës ndaj saj dy ditë më parë.

Klosi u prangos pas dëshmisë së pastrueses së saj Rozeta Dobi, e cila zbuloi skemën e shumave të mëdha të parave që ajo grabiti nga banesa e ish-zyrtares.

Dobi, e cila është pas hekurave së bashku me djalin e saj, Havier Dobi, rrëfeu se shumat e mëdha të parave kishin mbërritur me qese te shtëpia e Klosit, ndërsa kjo e fundit i kishte kërkuar pastrueses t’i vidhte paratë me konsensus, duke inskenuar kështu të gjithë ngjarjen.

Origjina e parave mbetet ende mister. Pastruesja Dobi tha se kishte vjedhur 120 mijë euro nga shtëpia e Klosit, ndërsa më pas pohoi se edhe 404 mijë euro që iu gjetën të fshehura në tubin e aspirimit, i përkasin po Klosit.

Të Fundit