Akuzohet për ngacmimin seksual të 11 grave, Cuomo: S’e kam kaluar limitin

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo ka njoftuar se do të japë dorëheqjen pas një raporti të ashpër të prokurorit të përgjithshëm të shtetit që konkludon se demokrati ngacmoi seksualisht 11 gra, dhe në një rast, kërkoi të hakmerrej ndaj një prej akuzueseve të tij që i bëri publike akuzat.

“Humbja e energjisë dhe shpërqendrimi është gjëja e fundit që qeveria e shteti duhet të bëjë, dhe unë nuk mund të bëhem shkaku i kësaj,” tha Cuomo, 63 vjeç, të martën.

“Unë mendoj se duke pasur parasysh rrethanat, mënyra më e mirë që mund të ndihmoj tani është të largohem dhe të lejoj qeverinë të kthehet në qeverisje,” shtoi ai.

Guvernatorja Kathy Hochul është në radhë për t’u bërë guvernatorja e parë femër e Nju Jorkut.

“Ky tranzicion duhet të jetë i qetë,” tha Cuomo, duke e quajtur Hochul të zgjuar dhe kompetente.

Por ashtu siç ka bërë edhe më parë, Cuomo i mohoi sërish akuzat duke i cilësuar të rreme.

Ai më pas kërkoi falje për ofendimin e grave që u përfshinë në raport dhe tha se ai mori “përgjegjësinë e plotë” për veprimet e tij.

Unë kam qenë shumë i dashur me njerëzit. Është thjesht sensi im i humorit. Unë përqafoj dhe puth njerëz rastësisht, gra dhe burra. Unë e kam bërë këtë gjithë jetën time,” tha Cuomo.

“Raporti i prokurorit të përgjithshëm thotë se unë kam ngacmuar seksualisht 11 gra. Pretendimet janë te rreme. Mendoj se nuk e kam kaluar limitin me askënd”, deklaroi vetë guvernatori.

Andrew Cuomo është guvernatori i tretë i Nju Jorkut që lë detyrën nën tymnajën e skandaleve. Një hetim i pavarur nga prokurori i përgjithshëm i këtij shteti zbuloi se 63-vjeçari kishte shantazhuar seksualisht 11 gra, përfshirë punonjëse të administratës.

Gratë pretendojnë se ai kishte bërë komente seksuale, i kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme, dhe puthur pa lejen e tyre.

Të Fundit