“Ai Excel-i që doli atje është shumë i prapambetur dhe shumë i epokës së vjetër për të qenë i PS-së”, kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama, ndërsa ka komentuar akuzat e opozitës për përdorimin e të dhënave të qytetarëve, të marra nga E-Albania, për qëllime politike.
Rama tha se PS punon vërtetë me një sistem patronazhimi, punë të cilën e ka nisur që para zgjedhjeve të 2009, por duke mbledhur të dhëna derë më derë, jo duke i vjedhur nga portali e-albania.
Pyetje: Sa i shqetësuar jeni ju si kryeministër që të dhënat sensitive të qytetarëve shqiptarë janë tashmë publike dhe akuzat janë që një sistem i ngritur nga patronazhi ka në dorë të dhënat e qytetarëve?
Rama: Sot me sa më thanë se kush kishte dalë në emër të Partisë Demokratike dhe kishte pohuar që të dhënat e AKSH-it nuk janë një databaze që e merr kush do dhe e çon ku do, sepse AKSH-i nuk depoziton të dhëna të integruara, por ka shërbime që janë të ndërfaqosura. Kjo s’ka lidhje fare me AKSH-in.
Po çfarë duhet të themi që me call centerat e Agron Shehajt e çmendi këtë milet me telefonata. Sot në zyrë, të gjithë njerëzit e zyrës sime ishin marrë në telefon për të disatën herë nga PD dhe kanë të gjithë databazën e telefonave. Të gjitha partitë bëjnë të njëjtën gjë kudo në botë.
Ne kemi prej shumë vitesh që punojmë me një sistem që quhet sistem patronazhimi dhe ka që para zgjedhjeve të 2009 që ne mbledhim të dhëna derë më derë, me blloqe të tëra dhe pastaj hidhen nëpër databaza.
Edhe e fundit, ai Exel-i që doli atje është shumë i prapambetur dhe shumë i epokës së vjetër për të qenë i PS-së.