Aksidenti me tre të mitur në Sarandë, arrestohet babai i njërit prej tyre. I dha të birit 14-vjeçar makinën

Një aksident me makinë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në afërsi të fshatit Bajkaj në Sarandë. Sipas policisë, janë dëmtuar 3 të mitur, njëri shofer e  dy të tjerët pasagjerë.

Ndërkohë sipas burimeve të Klan News, shoferi 14 vjeçar ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore dhe është transportuar me helikopter te Trauma në Tiranë, ndërsa dy të tjerët janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia bën po ashtu me dije se është arrestuar babai i njërit prej të miturve, pasi 41-vjeçari ia ka dhënë të birit mjetin për ta drejtuar.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor në afërsi të fshatit Bajkaj, si pasojë e të cilit u dëmtuan 3 shtetas të mitur (drejtuesi i automjetit dhe 2 pasagjerët, të cilët vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve), ju informojmë se: Në përfundim të veprimeve hetimore për këtë rast, specialistët e Qarkullimit Rrugor të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan shtetasin O. K., 41 vjeç, banues në Delvinë, pasi i ka dhënë për ta drejtuar, djalit të tij të mitur, automjetin që u përfshi në këtë aksident rrugor. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori për shtetasin e mitur, drejtues të automjetit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

/f.s

Të Fundit