Aksidenti me 10 viktima, media kroate: Shkak, lodhja e shoferit

Mediat kroate kanë zbardhur detaje të reja nga aksidenti tragjik që u mori jetën 10 shqiptarëve nga Kosova të cilët po udhëtonin nga Frankfurti në drejtim të Prishtinës paraditen e sotme.

“24sata.hr” shkruan se shkak i daljes së autobusit nga rruga dyshohet se ka qenë lodhja e shoferit, të cilët kishin vetëm 30 minuta që ishin ndërruar pas një pushimi që kishin bërë në Kroaci.

Tashmë është bërë e ditur se nga aksidenti mbetën 10 të vdekur, mes tyre njëri prej shoferëve dhe 48 u plagosën, 8 prej tyre në gjendje të rëndë.

Shefi i Policisë Rrugore të Stacionit Policor Slavonski Brod, Franjo Galiç u shpreh se ky ishte aksidenti më i rëndë që kishte parë.

“Unë kam qenë në shumë aksidente, por ky është me të vërtetë i rëndë dhe mendoj se është një nga aksidentet më të rënda që kam parë.

Autobusi ishte plot, por nuk mund të them nëse kishte fëmijë mes të vdekurve ose të plagosurve. Sipas udhëtarëve, kishte mbi 60 persona në autobus”, tha ai.

Kryeministri I Kosovës Albin Kurti njoftoi se Ministri i Brendshëm i Kosovës po niset për në Kroaci, në vendin ku u regjistrua aksidenti fatal, po ashtu edhe ambasadori në Zagreb.

Të Fundit