Do që të qëndrojë në burg, ku ndihet i sigurt dhe i mbrojtur. Ama vazhdon të përsërisë vazhdimisht se ai është shkaku i vdekjes së Artanit. Kështu shprehet Marjan Pepa, 52 vjeçari, i cili ndodhet në burg se vrau shokun e tij, Artan Kaja, i njohur nga të gjithë me emrin Toni. Viktima ishte pronar i një kompanie në Lunata, por u vra me një të shtënë arme në kokë me 7 Janar. Pavarësisht se është në pranga, Pepa refuzon që të flasë dhe të thotë arsyet e vrasjes së shokut.
“Ai thotë që është i hutuar dhe nuk dëshiron t’i përgjigjet pyetjeve specifike rreth vrasjes së bashkatdhetarit”, shkruajnë mediat. Të njëjtat burime shkruajnë se Pepa nuk ka folur as me avokaten e tij, për detajet e incidentit dhe motivet që e çuan që të ndërmerrte atë akt. Ndërkohë gjykata caktoi masën e sigurisë arrest me burg për shqiptarin.
Më së shumi investigimi po fokusohet në marrëdhënien që kishin dy bashkatdhetarët. Dy shqiptarët ishin shokë. Artan Kaja e futi Pepën në shtëpi, i cili së fundmi ishte papunë dhe në vështirësi ekonomike. Kaja e ndihmoi që të gjente punë edhe si shofer kamioni për një kompani në Itali. Me kalimin e kohës, shoqëria e tyre u ftoh. Siç duket Pepa kishte zili se shoku i tij ishte bërë një sipërmarrës i vogël, kishte një rol të rëndësishëm në komunitet dhe një familje të bukur.
Verën e kaluar mes dy shqiptarëve pati një sherr pas disa komenteve që Pepa bëri për gruan e viktimës. Disa muaj më vonë, Pepa u pushua nga kompania ku punonte si shofer kamioni dhe pa punë ai akuzonte shokun për gjendjen. Një pakënaqësi që prej kohësh ishte mbushur aq shumë sa ai të kërkonte hakmarrjen.
Të mërkurën pritet që të zhvillohet autopsia ndaj trupit të pajetë. Ajo do të përcaktojë më qartë dinamikën e ngjarjes. Deri më tani nuk është përcaktuar ende nëse vrasësi e qëlloi përballë apo nga pas. Një detaj ndoshta i parëndësishëm pasi një jetë u shua, por që përcakton brutalitetin e ngjarjes, të ngjashëm me atë të larjes së hesapeve në një kontekst kriminal, shkruajnë mediat italiane