Në mbledhjen e fundit të përbashkët Shqipëri-Kosovë, qeveritë e të dy vendeve thanë se ranë dakord për të krijuar një Abetare të unifikuar për nxënësit nga jugu deri në veri të të dyja shteteve shqipfolëse.
Kryeministri Edi Rama i propozoi kryeministrit të Kosovës Albin Kurti një abetare të përbashkët e cila do të shpërndahet kudo ku ka shqiptarë.
“Do na duhet një punë cilësore që të bëjmë një libër të shenjtë laik të gjithë shqiptarëve që të mbetet si objekt i çmuar në të gjitha bibliotekat që si fëmijë e marrin si libër të çmuar për të mësuar dhe e mbajnë si kujtim. Të bëjmë një libër që dhe nga pikëpamja e objektit të jetë e veçantë”, tha Rama.
Mirëpo, kjo nuk është iniciativë e re për të unifikuar librin e parë shkollor: një Abetare e unifikuar për Kosovën dhe Shqipërinë ekziston që në vitin 2012.
Në një intervistë në Euronews Albania ministrja e arsimit në Kosovë Arbërie Nagavci tha se Kosova ka respektuar dhe ka përdorur abetaren e përbashkët që është vendosur vite më parë mes dy shteteve, por marrëveshja nuk është respektuar nga ana e Shqipërisë.
Ministria shqiptare të arsimit lidhur me mospërdorimin e kësaj Abetare në klasat e para në vend, por redaksia nuk ka marrë ende një përgjigje në kohën e publikimit.
Çfarë ndodhi me Abetaren e përbashkët të vitit 2012?
Në vitin 2012, në një ceremoni festive në Prizren, dy kryeministrat e asaj kohe, Sali Berisha i Shqipërisë dhe Hashim Thaçi i Kosovës, promovuan një abetare të unifikuar. Sikurse sot, qëllimi i kësaj abc-je për fëmijët ishte që të mësohej si tekst i vetëm nga nxënësit e klasës së parë të të dyja vendeve.
Më 17 nëntor ish-kryeministri Berisha e quajti promovimin e Abetares së përbashkët si momentin më të rëndësishëm historik të kombit shqiptar.
Edhe ish-kryeministri kosovar Thaçi, tha se Abetarja e përbashkët është libri bazë dhe më i rëndësishëm i kulturës dhe arsimit në gjuhën shqipe. Krijimin e Abetares së përbashkët ai e ka quajtur “arritje historike”.
“Sot është një ditë historike për kombin, kulturën dhe qytetërimin shqiptar. Sot po e prezantojmë për herë të parë Abetaren e përbashkët të shqiptarëve, për herë të parë në historinë e kombit shqiptar. Kjo është e arritur historike. Është Abetarja e parë e përbashkët, e bashkautorëve nga Shqipëria dhe Kosova”, ka thënë ish-kryeministri Thaçi.
Ai ka theksuar se promovimi i Abetares së përbashkët ka ndodhur jo rastësisht në qytetin e Prizren, duke e quajtur këtë të fundit si kryeqytet shpirtëror të shqiptarëve.
Ndërkaq, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, pati thënë se kombi shqiptar nuk ka qenë kurrë më i bashkuar dhe më i sigurt se sa tash, në kohën kur edhe u promovua Abetarja e parë e përbashkët.
“Abetarja është margaritari i kurorës së 100-vjetorit të Shqipërisë së pavarur, dhurata më e bukur që njerëzit e dijes mund t’i bënin Shqipërisë dhe shqiptarëve. Të dashur fëmijë, Abetarja ju dorëzohet juve, sot, pas 160 vjet përpjekjesh mbinjerëzore për liri dhe dinjitet të shqiptarëve”, është shprehur ish-kryeministri Berisha.
Çfarë përmban Abetarja e vitit 2012
Teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë ishte përzgjedhur më 24 prill të vitit 2012.
Kjo Abetare ka katër bashkë-autorë, Shezai Rrokajn dhe Mimoza Gjokutajn nga Shqipëria, si dhe Islam Krasniqin dhe Saranda Kumonova-Pozhegun nga Kosova.
Ky tekst botohet nga një shtëpi botuese e Kosovës dhe një shtëpi botuese e Shqipërisë.
Abetarja e përbashkët ishte realizuar me nismën e dy ministrive të Arsimit, të Shqipërisë dhe Kosovës, gjë që do të vazhdojë edhe lidhur me unifikimin e teksteve të tjera shkollore.
Ministri i atëhershëm i Arsimit në Kosovë, Ramë Buja kishte thënë se e ka “besimin e palëkundur se (abetarja) do të jetojë gjatë”.
“Kur e filluam, nuk e kishim fare të lehtë as unë e as ministri Tafaj dhe as ata që në vazhdimësi u morën me këtë çështje. Madje, kishte edhe të atillë që mendonin se kjo ishte punë nuk bëhej, pra ishte e pamundur. Por, mbështetja e kryeministrave Berisha e Thaçi na bëri të mos njohim pengesa”, tha ai.
Në Kosovë përdoret ky tekst dhe një fletore pune.
Edhe në Shqipëri mësohet me këtë Abetare, por janë edhe 2 tjera të 2 shtëpive botuese të ndryshme, me autorë të ndryshëm. Mësuesit e vendosin vetë se me cilin tekst t’i mësojnë fëmijët.
Autoritetet e të dyja vendeve nuk e kanë bërë të qartë se çfarë ndryshimi do të ketë abetarja e re dhe se a do të hiqen nga tregu abetaret ekzistuese.
Ministrja e Arsimit e Shqipërisë Evis Kushi para 2 ditësh njoftoi se abetarja e përbashkët Shqipëri- Kosovë do të futet në qarkullim vitin e ardhshëm, pasi një komision Shqipëri-Kosovë të ketë përzgjedhur tekstin fitues.
“Vitin e ardhshëm, për shpalljen e 110 vjetorit të pavarësisë, ne t’i dhurojmë vogëlushëve si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, një abetare të re të përbashkët”, tha Kushi në aktivitetin “Një gjuhë, një Abetare”./EuronewsAlbania