Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë duke e dënuar me dy vite burg për akuzën e fshehjes së pasurisë,ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Avokati i tij para gjykatës konfirmoi për mediat se Llalla ndodhet në regjim spitalor pa specifikuar se ku ndodhet.
“Jemi me gjykim të padrejtë. Di që Llalla është në spital, kaq di. Unë jam avokati i tij dhe jam këtu, para jush. Gjykata, edhe e Shkallës së Parë, edhe e Apelit, ka bërë copy paste të gjitha veprimet procedurale, asgjë tjetër. Do t’i ndjekim të gjitha hallkat, deri në Gjykatën e Lartë. Nuk e di ku ndodhet Llalla, di vetëm që është në regjim spitalor. Nuk kam komunikim sa i përket anës shëndetësore të ish-kryeprokurorit, kam komunikim vetëm për anën procedurale”, tha avokati.
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin në fjalë, që përfshin edhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike si dhe konfiskim të pasurisë.
Llalla u dënua nga Shkalla e Parë me 2 vite burg dhe disa pasuri iu sekuestruan dhe i kaluan shtetit me akuzën e deklarimit dhe fshehjes së pasurisë. 4 sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës iu morën ish-kryeprokurorit.
Pavarësisht ankimimit të Llallës, Apeli la në fuqi vendimin e shkallës së parë.