Kryeministri Edi Rama ka prezantuar vizionin e tij për Tiranën e vitit 2030 gjatë fjalës në Asamblenë e Partisë Socialiste në kryeqytet, duke u ndalur te cilësia e jetesës, strehimi, shërbimet publike dhe infrastruktura urbane.
Rama tha se Tirana duhet të jetë një qytet ku qytetarët të kenë mundësi për një jetë më të mirë, duke përmendur si prioritete strehimin për çiftet e reja, krijimin e çerdheve për familjet, lehtësimin e lëvizjes për të moshuarit dhe rikthimin në banesat e tyre të familjeve të prekura nga tërmeti.
“Në Tiranën e transformuar nga vendi i mbijetesës, në vendin ku kërkohet orë e çast cilësi më e mirë jete. Duhet t’ua bëjmë të dukshme njerëzve Tiranën ku një çift i ri gjen shtëpi, ku një familje e re gjen çerdhe, ku një i moshuar ecën në trotuar pa u penguar. Tiranën ku një familje që pret të kthehet në shtëpi pas tërmetit ka çelësat në dorë. Tiranën ku uji 24 orë është në çdo cep të saj. Tiranën ku mbetjet dhe riciklimi i tyre nuk janë hall i përditshëm, transporti urban nuk është një tjetër dhimbje koke. Kjo është Tirana 2030.
Tirana 2030, ku shtëpitë e vjetra në rrezik nuk bëhen pallate, por bëhen muze, janë bërë muze. Është një rrjet i tërë që ka nisur në atë drejtim. Ku bashkia nuk sillet me qytetarin si taksambledhës që shpik çdo vit e çdo muaj tarifa të reja. Kjo është një autokritikë për të gjitha bashkitë e vendit, por justifikon çdo qindarkë që i merr qytetarit.“, tha Rama.



