Kryeministri Edi Rama ka përcjellë mesazhe të drejtpërdrejta në Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë, duke iu referuar edhe situatës me kryebashkiakun Erion Veliaj.
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se kushdo që vepron në kundërshtim me qëndrimet dhe vendimmarrjen e partisë, nuk do të ketë më vend në strukturën politike të socialistëve.
“Kushdo që sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, nuk do të ketë vend më në këtë shtëpi të madhe politike”, u shpreh Rama.
“Një person që nuk është i lirë, i falet të fantazojë gabim, por askujt që e ka lirinë të marrë vendime në një funksion politik, nuk i falet të bëjë të njëjtin gabim”, deklaroi kreu i qeverisë.
Rama iu drejtua edhe drejtuesve të Bashkisë së Tiranës, duke paralajmëruar se, sipas tij, goditja e punonjësve në krye të detyrës me porosi nga lart nuk do të harrohet dhe as do të falet.
“Çdo drejtuesi të Bashkisë së Tiranës i them sot se goditja e njerëzve në krye të detyrës me porosi nga lart as nuk do të harrohet, as nuk do të falet”, u shpreh ai.
Në vijim, Rama tha se nuk mund ta gjykojë Erion Veliajn për atë që bën apo thotë, por shprehu shpresën që kryebashkiaku të kuptojë se, sipas tij, po gabon në raport me të dhe me Partinë Socialiste.
Ai paralajmëroi gjithashtu se do të ketë një qëndrim të ashpër ndaj kujtdo që do të zbatojë urdhra në kundërshtim me qëndrimet e partisë.



