Akuzat e Spiropalit ndaj Ballukut dhe emërimeve në administratë, Peleshi përgjigjet nga Korça

Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, gjatë vizitës së tij në qytetin e Korçës, është pyetur nga mediat lidhur me deklaratat e deputetes socialiste Elisa Spiropali, e cila hodhi akuza ndaj disa zyrtarëve më të lartë të mazhorancës.

I pyetur nga mediat në lidhje me akuzat e Spiropalit, e cila tha se Belinda Balluku është modeli më i keq i qeverisjes dhe se emërimet në administratë bëhen pa meritokraci, por vetëm me një telefonatë, Peleshi tha se Shqipëria ka arritur të rikthejë meritokracinë, edhe pse jo në masën 100%.

Ai solli si shembull të qartë punësimin e mësuesve, ku të gjithë kalojnë përmes portalit, njësoj si mjekët dhe infermierët.

Megjithatë, Peleshi refuzoi t’i përgjigjej drejtpërdrejt Spiropalit, duke theksuar se nuk komenton mendimet e të tjerëve.

Pyetje: Spiropali ka thënë që në PS nuk bëhen diskutime, nuk bëhen zgjedhje, drejtuesit vendosen me telefonata etj. Ka thënë gjithashtu se Balluku është modeli më i keq i qeverisjes. Komenti juaj?

Peleshi: Nuk mund të komentoj fjalë pas fjale askënd, por mund të marr vetëm subjektin e asaj që u parashtrua dhe që ka lidhje me meritokracinë, për të cilën, pa hezituar dhe pa e fshehur, do të thosha që mbetet një sfidë. Nuk mund të themi që ia kemi dalë 100% për të pasur një administratë totalisht meritokratike, ashtu siç duhet thënë që janë bërë hapa të guximshëm dhe të mëdhenj për të depolitizuar, për të hequr duart 100% nga disa sektorë shumë të rëndësishëm dhe shumë delikatë, siç është, për shembull, arsimi. Ju e dini që portali tashmë ka fituar reputacionin si një proces i pakontestueshëm, i besueshëm për përzgjedhjen e mësuesve. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sektorë të tjerë, siç është Policia e Shtetit, diplomacia, mjekësia, portali i infermierëve, i mjekëve, pra. Do të thoja që na mbetet si sfidë, siç kemi bërë me këta sektorë, duhet ta shtrijmë në të gjithë administratën publike. Ndaj sot kemi një ministri të re për administratën publike, pikërisht sepse ekzistojnë sfida të tilla, një ministri të re me një ministre të re, me shumë eksperiencë dhe me shumë talent për ta drejtuar epokën e re, do të thoja unë, të administratës europiane, të denjë për një Shqipëri në Bashkimin Europian. Nuk mund të komentoj thënie apo cilësime të kujtdo, sepse këtu janë për mendimet e mia, jo për mendimet e të tjerëve.

Të Fundit