Punonjësit e Policisë së Shtetit të angazhuar për Edukimin dhe Punën me të Rinjtë janë certifikuar pas përfundimit të trajnimit për sigurinë në shkolla, të organizuar nga Programi SCPA në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Gjatë aktivitetit u prezantua edhe platforma “Help4You”, e krijuar nga Europol, e cila tashmë është e disponueshme edhe në gjuhën shqipe. Platforma synon të ndihmojë nxënësit dhe të rinjtë të informohen dhe të kërkojnë këshillim për rastet e dhunës dhe problematikat që hasin në hapësirën digjitale.
Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti.
Hita vlerësoi rolin e punonjësve të Policisë në shkolla, duke theksuar se ata duhet të jenë një pikë referimi për nxënësit, ku këta të fundit të mund të drejtohen pa frikë për ndihmë dhe mbështetje.
Ndërsa Ruseti vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit mes Policisë, shkollave dhe familjeve, si dhe te rritja e përfaqësimit të grave dhe vajzave në strukturat e Policisë.
Sipas drejtuesit të Programit SCPA, Ansi Shundi, trajnimi synon të qartësojë përgjegjësitë e institucioneve në kuadër të Paketës së Sigurisë në Shkolla dhe të forcojë mekanizmat e raportimit e referimit të rasteve problematike.



