Rasti i denoncuar nga emisioni “Stop”, për një 15-vjeçare që përfundoi në Lezhë pas njohjes në TikTok me një grua rreth 50 vjeçe, e cila e prezantoi me një 37-vjeçar, ka sjellë reagimin e Policisë, e cila ka ndaluar dy persona në kuadër të hetimeve.
Në pranga ka rënë E. K., 32 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”, si dhe A. Gj., 46 vjeçe, e dyshuar për “Trafikimin e të miturve” dhe “Moskallëzimin e krimit”.
Sipas Policisë, 32-vjeçari dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me 15-vjeçaren, e cila dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Rasti u denoncua nga familjarët në emisionin “Stop”, të cilët pretenduan se, pavarësisht denoncimit në polici, nuk ishte regjistruar procedim penal ndaj personave të përfshirë. Në dëshminë e saj, e mitura tregoi se kishte udhëtuar drejt Lezhës, ku ishte takuar me 37-vjeçarin dhe kishte qëndruar me të në një hotel, ndërsa ky i fundit, i kontaktuar me kamerë të fshehtë, pranoi takimin dhe marrëdhënien seksuale, por pretendoi se vajza e kishte provokuar vetë.
Policia bën me dije se ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale për dokumentimin e rastit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.



