75 apartamente të tjera u janë dorëzuar këtë javë familjeve të prekura nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019, në zonën e Kombinatit në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila ka ndarë edhe momente nga hyrja e një familjeje në banesën e saj të re.
Koçiu ka publikuar pamje nga shtëpia e re e familjes së Erblinit, duke theksuar se, pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga tërmeti dhe vonesave burokratike, familjet e prekura po marrin gradualisht çelësat e banesave të tyre.
“Një fillim i ri për Erblinin dhe familjen e tij në Kombinat. Pas sfidave të tërmetit të vitit 2019 dhe kohës së humbur në burokracinë e procedurave, këtë nëntor Erblini do ta festojë 10-vjetorin në shtëpinë e tij të re, aty ku e ardhmja merr më në fund fytyrën e gëzimit dhe të sigurisë së merituar”, u shpreh Koçiu.
Zëvendëskryeministrja siguroi se qeveria do të vijojë punën deri në përmbushjen e plotë të angazhimit për të gjitha familjet që ende presin të sistemohen në banesat e tyre të reja.
Sipas të dhënave të bëra publike, mbi 340 apartamente të tjera u janë shpërndarë familjeve të prekura nga tërmeti, ndërsa rreth 650 familje vijojnë të përfitojnë bonusin e qirasë në pritje të marrjes së banesave të tyre.
Ndërkohë, procesi i rindërtimit pritet të vijojë edhe me projekte të reja. Në një tjetër shesh ndërtimi, ku procedura e prokurimit ka përfunduar, parashikohet ndërtimi i 223 apartamenteve të reja. Gjithashtu, ka nisur procedura për ndërtimin e 100 apartamenteve të tjera.



