Balla prezanton skemën e re të strehimit: Do të përfitojnë 7 mijë familje. Ka çifte që punojnë dhe nuk sigurojnë dot banesë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka prezantuar ndryshimet në ligjin për strehimin social, përmes të cilave synohet të mbështeten 7 mijë familje për sigurimin e një banese të përballueshme.

Gjatë prezantimit të projektligjit në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, Balla bëri të ditur se skema e re parashikon 2 mijë kredi me interes zero, 2 mijë kredi me interes 3% dhe subvencionimin e 50% të qirasë për 3 mijë familje.

Ai theksoi se strehimi duhet trajtuar jo vetëm si çështje e tregut të pasurive të paluajtshme, por edhe si një çështje sociale, ekonomike dhe demografike.

Taulant Balla: Po e nis me çështjen për të cilën jemi mbledhur, që na bashkon të gjithëve. Nevoja që çdo familje shqiptare të ketë mundësinë e një banese të sigurt dhe të përballueshme. Qeveria shqiptare ka bërë një hap të madh dhe unë besoj që edhe ndryshimet që ne propozojmë vijnë për ta përmirësuar, sepse mendojmë që strehimi nuk është një çështje e tregut të pasurive të paluajtshme, por duhet ta shikojmë si një çështje sociale, ekonomike dhe demografike.

Sot kemi familje që, pavarësisht faktit që të dy bashkëshortët punojnë dhe kanë të ardhura të rregullta, e kanë të vështirë të gjejnë një banesë. Mendoj që ndryshimet që sjellim në këtë projektligj do të na japin mundësinë që të konkretizojmë diçka që mirëpritet nga i gjithë publiku.

Unë vij me një propozim që ka në vëmendjen e vet familjet që u prekën nga tërmeti i vitit 2019 dhe për të cilat ende nuk e kemi përmbyllur pajisjen me shtëpi.

Balla bëri të ditur se programi i strehimit parashikon gjashtë instrumente kryesore: banesa sociale me qira, banesa me kosto të ulët të mbështetura me kredi të subvencionuara, përmirësimin e banesave ekzistuese për grupet vulnerabël, ndërhyrje infrastrukturore në zonat informale, banesa të përkohshme për familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore dhe banesa të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara.

Sa i përket financimit, kreu i grupit parlamentar të PS-së deklaroi se në buxhetin e vitit 2027 janë parashikuar 1 miliard e 250 milionë lekë për mbështetjen e familjeve dhe investimet në këtë sektor, duke e cilësuar këtë si buxhetin më të madh të 30 viteve të fundit për strehimin.

Taulant Balla: Në këtë buxhet qeveria ka parashikuar 1.250.000.000 lekë për mbështetjen e familjeve dhe investimeve në këtë sektor. Ky është buxheti më i madh në 30 vitet e fundit.

Në programin e ri kombëtar 4 mijë çifte të reja do të mbështeten për sigurimin e banesës përmes kredisë së lehtësuar. Në total, 2 mijë kredi me interes zero, 2 mijë kredi me interes 3% dhe 3 mijë familje që përfitojnë subvencionimin e qirasë. Në këtë mënyrë, 7 mijë familje të reja do të mbështeten përmes këtyre programeve. Kjo tregon që politika e strehimit po zgjerohet.”

Në përfundim, Balla u bëri thirrje edhe deputetëve të opozitës që të mbështesin me votë ndryshimet ligjore, duke theksuar rëndësinë e strehimit social për familjet shqiptare.

Taulant Balla: Do të dëshiroja shumë që edhe kolegët e opozitës jo vetëm të ishin të pranishëm, por edhe ta mbështesnin me votë këtë ligj, i cili sjell një mbështetje të rëndësishme për një sektor dhe një nevojë shumë të madhe të shoqërisë sonë, siç është strehimi social.

Të Fundit