Makinat elektrike nuk shpëtojnë nga taksat, nga 2027 parashikohet pagesë vjetore prej 15 mijë lekësh
Makinat elektrike në Shqipëri pritet të përballen me një detyrim të ri financiar duke nisur nga viti 2027.
Në kuadër të Paketës Fiskale 2027, qeveria ka propozuar vendosjen e një takse fikse vjetore prej 15 mijë lekësh për autoveturat elektrike, ndërsa për motomjetet elektrike parashikohet një pagesë prej 1 mijë lekësh në vit. Masa është pjesë e projektligjit për ndryshimet në taksat kombëtare dhe, nëse miratohet, do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2027.
Deri tani, automjetet elektrike përfitonin nga përjashtimi prej taksës vjetore të mjeteve të përdorura. Me skemën e re, ato do të kenë një detyrim të përcaktuar fikse, pavarësisht fuqisë së motorit apo vjetërsisë së automjetit.
Ndryshimi vjen në kuadër të një reforme më të gjerë të mënyrës së taksimit të automjeteve. Sipas projektligjit, taksa e qarkullimit nuk do të mblidhet më përmes çmimit të naftës dhe benzinës, por do të zhvendoset te pagesa vjetore e automjetit.
Në të njëjtën kohë, parashikohet rritje e ndjeshme e taksës për automjetet me motorë me djegie, ndërsa për makinat luksoze tarifa vjetore propozohet të rritet nga 21 mijë në 40 mijë lekë.
Sipas të dhënave të relacionit të projektligjit, ndryshimet synojnë të rrisin ndjeshëm të ardhurat nga taksimi i mjeteve. Nga rreth 7.2 miliardë lekë që pritet të mblidhen gjatë vitit 2026 me skemën aktuale, të ardhurat e parashikuara me sistemin e ri arrijnë në rreth 33.8 miliardë lekë në vit.
Vendosja e taksës mbi automjetet elektrike ka hapur debat, pasi në shumë vende europiane politikat fiskale përdoren pikërisht për të nxitur kalimin drejt automjeteve me emetime të ulëta, përmes subvencioneve, lehtësive tatimore dhe mbështetjes për infrastrukturën e karikimit.
Në Shqipëri, megjithatë, me skemën e propozuar edhe makinat elektrike do të kontribuojnë përmes një takse të posaçme vjetore.



