Denoncimet e “Stop” çojnë në gjyq noteren Anila Haxhiu, akuzohet për falsifikime të përsëritura

Denoncimet e emisionit investigativ “Stop” ndaj noteres Anila Haxhiu tashmë marrin një tjetër zhvillim. Pas hetimeve të Prokurorisë së Fierit, Haxhiu është marrë e pandehur dhe është dërguar për gjykim, e dyshuar për falsifikim të përsëritur të dokumenteve noteriale gjatë viteve 2011–2020.

“Stop” e ka denoncuar disa herë veprimtarinë e noteres së Fierit, duke sjellë raste dhe dokumente që ngrinin pikëpyetje mbi mënyrën se si ajo ushtronte profesionin. Në një prej investigimeve u publikua edhe rasti i një vule të përdorur për përkthime, e cila rezultoi e lidhur me një blegtor, ndërsa në një tjetër denoncim u trajtua çështja e një qytetari që pretendonte se nuk kishte marrë paratë e shitjes së pronës.

Në nëntor të vitit 2025, pas materialeve dhe denoncimeve të bëra publike, Prokuroria e Fierit njoftoi pezullimin e Anila Haxhiut nga detyra. Sipas hetimeve, ajo dyshohej se kishte hartuar akte noteriale në emër të tre noterëve të tjerë, duke përdorur firma dhe vula të falsifikuara, si edhe kishte kryer veprime noteriale në mungesë të palëve.

Tashmë hetimi ka përfunduar. Sipas Prokurorisë, gjatë periudhës 2011–2020 dyshohet se Haxhiu ka hartuar dhe lëshuar në mënyrë të përsëritur dokumente noteriale duke përdorur emrat e noterëve të tjerë, ndërsa në raste të tjera aktet dyshohet se janë përpiluar pa praninë e palëve.

Hetimi ka zbuluar gjithashtu kontrata shitblerjeje automjetesh të viteve 2011–2018, të cilat nuk rezultonin në regjistrat përkatës të noterëve në emër të të cilëve ishin lëshuar. Në një numër rastesh, sipas Prokurorisë, është përdorur emri i një notereje me zyrë në Tiranë, ndërsa aktet dyshohet se janë hartuar në Fier.

Për këto episode, Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe e ka dërguar Anila Haxhiun për gjykim për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato, e kryer më shumë se një herë.

Pra, denoncimet e bëra prej kohësh nga “Stop” ndaj noteres Anila Haxhiu tashmë shoqërohen me një zhvillim të ri në planin penal: çështja ka kaluar nga hetimi në gjykatë.

Të Fundit