Luigj Doda nga Talja e Lezhës iu drejtua emisionit “Stop”, pasi pagoi 700 mijë lekë të vjetra përmes kompanisë së punësimit “Agility Group Albania”, me qëllim, që të siguronte një punonjës nga India, për të punuar si bari. Luigji e priti në aeroportin e Rinasit të riun indian, por punësimi zgjati vetëm katër ditë, pasi punonjësi u largua pa lënë gjurmë.Luigji ngre dyshime, se kontrata mund të jetë përdorur si një mënyrë, për të mundësuar largimin e të riut drejt vendeve të Europës, dhe jo për ta punësuar atë në Shqipëri. Dyshimet e tij lidhen edhe me faktin se, një ditë para largimit, kompania i kishte kërkuar vendndodhjen e banesës. Sipas Luigjit, marrëveshja parashikonte zëvendësimin e punonjësit, nëse ndodhte një situatë e pazakontë, por kjo nuk u realizua. Për më tepër, komunikimi me administratoren e kompanisë, Suzana Aga, ndryshoi pas largimit të punonjësit.Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, kompania i ktheu Luigjit shumën e paguar për shërbimin.



