Policia e Tiranës ka dhënë detajet në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e kësaj të marte në Tiranë, ku një person është gjetur pa shenja jete brenda një automjeti, në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, viktima është identifikuar si Ismet Habili, 46 vjeç, me origjinë nga Kavaja. Ai u gjet brenda një automjeti tip “Volvo” dhe dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Policia bën me dije se: “Më datë 20 tetor, rreth orës 20:20, në Sallën Operative është marrë njoftim për një automjet të aksidentuar në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë konstatuar brenda automjetit shtetasin I. H., pa shenja jete, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.



