Presidenti Begaj bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi: Pakënaqësia të mos shprehet me dhunë!

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka reaguar lidhur me incidentet e krijuara sot për shkak të protestës e cila ka marrë përmasa të mëdha.

Në njoftimin zyrtar Begaj bën thirrje të gjitha palëve të vetëpërmbahen për të mos përshkallëzuar më tej situatën.

Begaj thekson se zhvillimi i një proteste paqësore është një e drejtë por jo nëpërmjet dhunës. Ai shprehet i hapur për të dëgjuar çdo shqetësim nga qytetarët dhe çdokush të veprojë me përgjegjësi.

Njoftimi i plotë:

“Presidenti i Republikës ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje.

E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit.

Në këtë moment, vendit i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim.

Mbetem i gatshëm të dëgjoj te gjitha shqetesimet.

Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit.” – u shpreh Presidenti i Republikës nëpërmjet facebook-ut.

Të Fundit